Ballina Sport Etapë kaotike, Kaden Groves kalon i pari finishin në Napoli

Etapë kaotike, Kaden Groves kalon i pari finishin në Napoli

18
0

Kaden Groves ka fituar etapën e gjashtë të Giro d’Italia 2025, në një ditë të dominuar nga rrëzimet dhe kaosi.

Sprinteri australian i Alpecin-Deceuninck triumfoi në finishin e Napolit duke lënë pas belgun Milan Fretin (Cofidis) dhe francezin Paul Magnier (Soudal-Quick Step).

Etapa prej 227 kilometrash nga Potenza në Napoli u shënua nga një aksident i madh rreth 70 km nga finishi, ku mes të përfshirëve ishin edhe Richard Carapaz dhe Jai Hindley, fitues i Giro-s 2022.

Për shkak të lagështisë së asfaltit dhe rrezikut për sigurinë, drejtuesit e garës vendosën ta neutralizonin kohën për pjesën e mbetur të etapës.

Gara rifilloi në mënyrë simbolike nga Nola, me një ritëm të kontrolluar, ku fitorja e etapës mbeti e hapur për sprinterët. Enzo Paleni dhe Taco Van der Hoorn, të cilët kishin qenë në arratisje për më shumë se 100 kilometra, u kapën vetëm dy kilometra para finishit.

Groves u tregua më i shpejtë në sprintin final në Lungomare Caracciolo, duke marrë fitoren e parë të tij në këtë edicion.

Në renditjen e përgjithshme, Mads Pedersen (Lidl-Trek) ruan fanellën rozë me 17 sekonda avantazh ndaj Primoz Roglic dhe 24 sekonda ndaj Mathias Vacek, duke mbajtur të pandryshuar kreun për shkak të neutralizimit të kohës.