Ballina Opinion Letër Melonit: Vëllau juaj, Edi, i vuri zjarrin Shqipërisë! Mafia e heshtja...

Letër Melonit: Vëllau juaj, Edi, i vuri zjarrin Shqipërisë! Mafia e heshtja vret

37
0

Nga Alba Kepi 

“Ekzistojnë dy forma të omertà, e atij që di e nuk flet, dhe e atij që nuk do të dijë”.

E kjo dëshira për padije është fatale për atdheun tim.

Pasaporta europiane që vëllai juaj Rama tund sot në duar si premtimin e “fitores” së tij, nuk është gjë tjetër vetëm kopertina e kësaj padije me fletët brenda saj që nuk doni t’i lexoni .

Ju shkruaj Ju Kryeministre e Italisë e jam një prej gjysëm milioni shqiptarësh që jetojnë në Itali, punojnë e kontribuojnë në shoqërinë, ekonominë e zhvillimin e këtij vendi.

Ju shkruaj si italo-shqiptare e një prej rreth 200 mijë shqiptarësh që kanë dyshtetësinë e Ju jeni kryeministrja e jonë e Italia është vendi ynë i dytë.

Për herë te parë në historinë e parlamentarizmit shqiptar, ne shqiptarë të Italisë e italo-shqiptarët e Shqipërisë praktikuam votën përmes shërbimin postal prej vendeve ku jetojmë e punojmë me shpresën se do sillnim një ndryshim pozitiv për vendin tonë të origjinës.

Pas 3 mandatesh të shënuara nga skandale politike, pabarazi sociale, afera korruptive e limitime të shtetit të së drejtës e të drejtave civile, ne shpresuam në një ndryshim.

Besuam shumë.

Duke jetuar e punuar në Itali jemi formuar e vlerësojmë atë çfarë mungon në Shqipërinë tonë.

Besuam por nuk ia dolëm se mungoi liria në kuptimin universal të saj, liria për të zgjedhur lirinë.

U larguam e shumë prej nesh në këtë dhjetëvjecarë, pasi ky privim lirie hoqi garancinë e jetës, mundësinë e një të ardhme për fëmijët tanë, censuroi lirinë në shprehje, në profesion, në punësim, në pronën private, reduktoi lirinë për të thënë një mendim ndryshe nga ai i qeverisë dhe lirinë për të drejtën e informacionit e komunikimit transparent publik mbi vendimet, aktet, politikat, diplomacinë, fondet pulbike, drejtësinë, të vërtetën pra pilastrat thelbësore mbi të cilat një shtet është demokratik.

Fjalë sublime lirie aq sa atdheu.

Provuam që më 11 maj, këto fjalë t’i bashkonim në rrjedhën origjinale për të cilën janë krijuar e nuk ndodhi.

Një ditë pas zgjedhjeve ju ishit liderja e parë europiane që uruat Kryeministrin shqiptar Edi Rama për këtë mandat të katërt me një hartë gjeografike politike që do e kishte zili cdo diktator.

Nuk di sa preokupuese o dakortësuese do ishte për ju e idesë tuaj mbi demokracinë nëse vota e italianëve do të ishte kaq njëngjyrëshe?

U mësuam mbi 1 vit e gjysmë me këtë raport kaq miqësor mes jush e KM shqiptar Edi Rama, dhe pse vështirë ta kuptojmë.

Ç’ju lidh ju lider i Partive Konservatore Europiane me liderin e një partie pjesë e familjes socialiste europiane.

Ç’ju bashkon ideologjikisht ju lidere e një qeverie e partie të djathtë e një vendi europian me një lider qeverie e të një partie të majtë, dikur ish partia komuniste e një sistemi nga më të egër të komunizmit eurolindore?

Me shumë heshtje e kemi pranuar se interes reciprok i ekzekutivit tuaj për të gjetur një zgjidhje temës më shqetësuese të së ardhmes në Europë, emigracionit ilegal e Edi Ramës për të pasur në Europë një sup të ngrohtë, ju ka forcuar në këtë miqësi jo të zakontë në ideoligjitë që predikoni.

E kemi pranuar në heshtje këtë marrëdhënie jo sepse fratello Rama ju quan sorrella por sepse për ne Italia është shtëpia ku jetojmë e punojmë e Shqipëria vendlindja jonë e sic thotë një proverb shqiptar “njëra dorë lan tjetrën e të dyja lajnë fytyrën”.

Në këtë strategji politike shpërthyer në raportin vëlla-motër nuk mund të kuptojmë se si kur vëllai i vë zjarrin shtëpisë së tij, motra qoftë e madhe o e vogël i bën komplimente.

Nuk mund të pranojmë heshtjen tuaj kur historia e kësaj dekade të fundit dokumentoi skandalet e aferat më korruptive pikërisht mes Italisë, vendin tonë e tuajit e Shqipërisë vendin tonë e vendit të vëllait tuaj.

Ish ministri i brendshëm i vëllait tuaj Rama u kap nga antimafia italiane ndërsa automjetin e tij e kishte vënë në dispozicion të mafias siciliane për një megatrafik droge me vlerë mbi 20 milionë euro. Quhet Sajmir Tahiri do ta keni në dokumentacionin e sigurisë.

Vëllai i po një ish ministri të brendshëm i dënuar për trafik droge në Itali kishte ndryshuar identitet në Shqipëri e punonte në funksion të lartë në Shqipëri.

Ish ministri i brendshëm i qeverisë së vëllait tuaj quhet Fatmir Xhafa.

Një operacion i antimafias italiane i koduar “Basso Profilo”, zbardhi princin e Ndranghetas (Antonio Gallo) e pastronte paratë e ndrineve e bënte biznes në Shqiëpri përmes lidhjeve me kryetar bashkie, ministra, drejtorë policie të qeverisë së vëllait tuaj socialist Rama.

Po në një tjetër operacion të Antiamfia italiane “Isola Scaligera” u zbardh se mafia kalabreze në Verona kishte shtrirë konttrollin në kompanitët e menaxhimit të mbetjeve urbane me të cilat Bashkia e Tiranës kishte nisur një bashkëpunim Partneritet Publik Privat. Mbetjet urbane qe do të ricikloheshin sot janë një mal vdekjeprurës në natyrën e Tiranës e bilanci financar i kompanive PPP mes Veronës e Tiranës është negativ e dëmi mes Tiranës e Tiranës dramatik.

Ish kryetar Bashkie të pushtetit socialist janë arrestuar në Itali si trafikant droge e jo rastësisht kjo bashki në rrethinat e Tiranës është nga më alarmueset për riskun e infiltrimit kriminal.

Antimafia italiane në raportet semetrale sinjalizon gjatë kësaj dekade të fundit shndërrimin e krimit të organizuar shqiptar në një nga mafiat më të rreikshme të Europës, me riciklime e autoriciklmie kapitalesh të pista në Shqipërinë e vëllait Rama e në investime në Europë e botë.

Mafia shqiptare kontrollon sot restoranet më të mira në zonat turistike në qytete si Firenze, Venezia, Roma e këtë fakt e nënshkruajnë operacione të Antimafias italiane.

Një nga flamujt më të fortë të betejës tuaj elektorale ishte lufta kundër organizatës Soros.

A mos është bërë dhe ai vëllai juaj sepse për kryeministri shqiptar Aleks Soros është vëllai i tij.

Mjaft të dokumentosh udhëtime, fotografi e postime që të dy të përqafuar bëjnë në Tiranë?

Është ky vëlla Soros që punoi për të zhdukur opozitarizmin në Shqipëri e është ky vëllai Rama në një dosje të FBI i listuar si person që ka punuar për të shkatërruar opozitarizmin shqiptar.

E përballë këtij realiteti e aktualiteti krorruptiv e kriminal shqiptar, që ka lulëzuar e përfshirë dhe ministra e funksionarë të qeverisë së vëllait Rama, të heshtësh është një gjest që nuk mund ta pranojmë në heshtje?

E si mund të pranojmë heshtjen tuaj ndaj këtij “vëllai”, që i ka vënë zjarrin shtëpisë tonë.

Në këtë vend që e quaj vendi im. Italia mësova diferencën mes silenzio e omertà.

E siç thoshte një nga viktimat e mafias Peppino Imapstato “MAFIA VRET E HESHTJA PO ASHTU”.

Një shkrimtar i gazetar i njohur italian që jeton nën mbrojtje nga shteti për shkak të kërcënimeve nga mafia, Roberto Saviano shkruan; “Ekzistojnë dy forma të omertà, e atij që di e nuk flet, dhe e atij që nuk do të dijë”.

E kjo dëshira për padije është fatale për atdheun tim.

Pasaporta europiane që vëllai juaj Rama tund sot në duar si premtimin e “fitores” së tij, nuk është gjë tjetër vetëm kopertina e kësaj padije me fletët brenda saj që nuk doni t’i lexoni e ku shkruhet; mafia, kokaina, korrupsioni, krimi, padrejtësia e shpopullimi.