Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka reaguar ashpër në një konferencë për mediat lidhur me kërcënimet që, sipas tij, i janë bërë një qytetari që publikoi një video të shit-blerjes së votës. Paloka tha se denoncuesi, i cili punon si taksist, është kërcënuar nga dy persona që i janë afruar në vendin e punës.
“Fjalët kanë qenë të qarta: ‘Çfarë i ke bërë vetes me atë që ke nxjerrë, do ta shohësh ç’do të bëjmë’,” deklaroi Paloka. Sipas tij, kjo është një përpjekje për të mbyllur gojën e atyre që guxojnë të denoncojnë parregullsitë dhe krimet elektorale. Ai theksoi se Partia Demokratike po e merr denoncuesin në mbrojtje publike, duke e identifikuar atë me emrin Lulzim, dhe shtoi se askush nuk mund të frikësojë demokratët.
“Rama nuk luan dot me demokratët,” u shpreh Paloka, duke akuzuar qeverinë dhe policinë se janë bashkëpunëtorë në mbulimin e krimeve zgjedhore. “Kur njerëzit tanë kapnin kriminelët elektoralë duke blerë vota, vinte policia dhe arrestonte atë që kishte kapur hajdutin, sepse policia është palë me këta,” shtoi ai.
Paloka u shpreh se blerja e votës është kthyer në një praktikë të zakonshme në Shqipëri, por PD do të vazhdojë të denoncojë çdo shkelje dhe të mbrojë ata që guxojnë të flasin.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka në konferencë për mediat: Blerja e votës është bërë normale tashmë në Shqipëri. Denoncuesi, që punon taksi, i kanë vajtur dy persona që e kanë kërcënuar. Fjalët kanë qenë “çfarë i ke bërë vetes me atë që ke nxjerrë, do ta shohësh ç’do të bëjmë”. Kërkojnë t’ju mbyllin gojën denoncuesve. Po marrim në mbrojtje publike Lulzimin. Kush mendon se mund të bëjë ç’të dojë me demokratët, e ka gabim. Rama nuk luan dot me demokratët. Kur njerëzit tanë kapnin kriminelët elektoralë duke blerë vota, vinte policia dhe arrestonte/procedonte atë që kishte kapur hajdutin, sepse policia është palë me këta.