Ballina Politika Rikthim i skenarit të 6 dhjetorit 2022? Berisha kundërshton policinë, nuk tërhiqet...

Rikthim i skenarit të 6 dhjetorit 2022? Berisha kundërshton policinë, nuk tërhiqet nga protesta në ditën e Samitit

102
0

Sali Berisha ka shpallur vendosmërinë e tij për të zhvilluar një protestë në ditën e mbajtjes së Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, pavarësisht refuzimit nga Policia e Shtetit për të zhvilluar protestën në zonën e Zogut të Parë.

Fillimisht, Berisha njoftoi mbajtjen e protestës pikërisht në këtë zonë, por pas refuzimit zyrtar nga autoritetet, ai ndryshoi postimin dhe e zhvendosi protestën simbolikisht në “Bulevardin e Parë”. Megjithatë, pas vetëm disa orësh, u bë e ditur se protesta do të mbahet sërish tek Zogu i Parë, në kundërshtim me vendimin e policisë.

Në një ditë kur Shqipëria pret liderët më të lartë europianë dhe botërorë, përfshirë Starmer, Zelenski dhe Erdogan, Berisha synon të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare me një tubim kundërshtues, duke planifikuar zhvillimin e tij pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Një skenar i ngjashëm ndodhi edhe më 6 dhjetor 2022, gjatë një tjetër samiti në Tiranë. Edhe atëherë, pavarësisht ndalimit, Berisha organizoi një antimiting buzë Lanës, i cili përfundoi me përplasje dhe tensione që i sollën pasoja.