Kryekomisioneri Ilirian Celibashi ka mbërritur në KZAZ-në nr. 30 në zonën e Kasharit për të monitoruar nga afër situatën pas incidentit të rëndë të ndodhur ditën e sotme, ku u dhunua një nga sekretarët e qendrës së numërimit.
Sipas pamjeve të siguruara nga gazetarja Klodiana Lala, brenda rrethimit të shkollës ku ndodhet kjo KZAZ është konstatuar një automjet i parkuar, në kroskotin e të cilit ndodhej një kuletë me një shumë të konsiderueshme parash. Ky detaj ka shtuar më tej dyshimet dhe tensionin në vendin ku po zhvillohet numërimi i votave.
Lidhur me incidentin, burime pranë policisë bëjnë me dije se janë shoqëruar dy persona. Njëri prej tyre është identifikuar si Rei Nozlli, 26 vjeç, vëzhgues i kandidatit të PS-së, Ornaldo Rakipi. Sipas të njëjtave burime, Nozlli ka goditur me grusht sekretarin e KZAZ-së, Remzi Mehmeti, gjë që ka sjellë reagimin e menjëhershëm të forcave të rendit.
Nozlli është shoqëruar në komisariat, ku po merret në pyetje për të sqaruar rrethanat e konfliktit. Identiteti i personit tjetër të përfshirë ende nuk është bërë publik nga autoritetet.
Ngjarja ndodhi në prani të komisionerëve dhe vëzhguesve të tjerë, duke shkaktuar tension dhe ndërprerje të menjëhershme të procesit të numërimit. Më herët, pas incidentit, Komisioneri Celibashi kishte urdhëruar përjashtimin e të gjithë vëzhguesve në këtë zonë për të garantuar mbarëvajtjen e procesit.