Ballina Rajoni Skandal në Beograd: Dokumenti i falsifikuar rrezikon projektin e hotelit Trump

Skandal në Beograd: Dokumenti i falsifikuar rrezikon projektin e hotelit Trump

36
0

Projekti i hotelit luksoz prej 500 milionë dollarësh i familjes Trump në Serbi, i planifikuar të ndërtohet në vendin e një ndërtese të bombarduar të Ministrisë së Mbrojtjes, ka hasur në ndërlikim të sikletshëm.

Një dokument kyç në të cilin qeveria serbe është mbështetur për të zbatuar këtë marrëveshje, është falsifikuar, thanë zyrtarët atje këtë javë, raporton New York Times.

Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Trump, dhe partnerët e tij të biznesit planifikojnë të ndërtojnë një kompleks luksoz banimi dhe tregtar në vendin e kompleksit të boshatisur prej kohësh, që është planifikuar të përfshijë Hotelin Ndërkombëtar Trump, të parin në Evropë.

Udhëheqësi i agjencisë serbe të ngarkuar me mbrojtjen e monumenteve kulturore pranoi para autoriteteve se kishte falsifikuar një dokument qeveritar që lejonte shembjen e ish-selisë së Ministrisë së Mbrojtjes së Jugosllavisë në Beograd dhe zëvendësimin e saj me hotelin Trump.

Projekti fitoi miratimin paraprak nga qeveria serbe vitin e kaluar, madje para se qeveria të lëvizte zyrtarisht për të revokuar statusin e mbrojtur historik të ish-kompleksit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Zyrtarët e qeverisë serbe thonë se kreu i agjencisë, Goran Vasiq, ka sajuar një mendim eksperti për të justifikuar vendimin e qeverisë për t’i hequr vendit statusin e trashëgimisë kulturore.

Dokumenti i falsifikuar shërbeu si bazë ligjore për heqjen e mbrojtjes nga kompleksi. Vasic tani përballet me akuza për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare, thanë zyrtarët në Beograd këtë javë.

Affinity Partners, kompania e Kushnerit, tha në një deklaratë se nuk kishte luajtur asnjë rol në shqyrtimin e statusit kulturor të vendit. Puna nuk ka filluar dhe fati i projektit tani është i paqartë, theksoi kompania.