Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, dhe deputeti i sapozgjedhur Redi Muçi, deklaruan në një konferencë për shtyp të enjten se zgjedhjet e 11 majit ishin “ekstremisht të pabarabarta”, ndërsa theksuan se lufta politike e tyre sapo ka nisur.
Sipas tyre, zgjedhjet janë zhvilluar nën një klimë frike dhe presionesh sistematike të ushtruara nga qeveria ndaj administratës dhe bizneseve të vogla.
“Të gjithë ne jemi dëshmitarë të presioneve të panumërta që partia në pushtet i ka bërë nëpunësve të administratës, bizneseve të vogla, e kemi ndjerë këtë sa herë kemi shkuar për të takuar qytetarët,” – tha Qori.
Ai vijoi duke e përshkruar situatën në vend pas zgjedhjeve si “të zymtë” dhe iu referua vargjeve të Fan Nolit për të përshkruar gjendjen aktuale politike:
“Ky tiran që ka shthurrur fenë dhe ka kërrusur atdhenë nuk ia ka dalë të shuajë shpresën e qytetarëve shqiptarë për ndryshim dhe një pjesë e kësaj shprese lidhet me emrin e Lëvizjes Bashkë,” – shtoi ai.
Qori theksoi se mbipushteti i kryeministrit Rama është pikërisht ai që do të çojë në rënien e tij politike, ndërsa sulmoi narrativën e përdorur gjatë fushatës elektorale:
“Edi Rama duket jashtëzakonisht i pushtetshëm […] kjo nuk na step. Në analizën tonë politike ky mbipushtet do të jetë ai që do ta fundosë Edi Ramën. Rama vështirë se do të mund t’u tregojë pensionistëve apo punëtorëve përrallën me bufin Berisha që ua tregoi gjatë fushatës elektorale.”
Lëvizja Bashkë arriti të fitojë rreth 24 mijë vota në nivel kombëtar dhe një mandat deputeti në Tiranë, ndërsa procesi i numërimit është ende në përfundim në disa zona.