Mentor Xhemali është një nga kolosët që themeluan TKOBAP. Ai lindi më 12 maj të vitit 1924. Një nga ikonat e muzikës operistike shqiptare. Mentor Xhemali, Artist i Popullit, do të mbetet një nga figurat më të shquara të artit vokal. Ai mbetet një nga basët më të mëdhenj, një zë i ngrohtë, i dashur për të gjithë, një emër i nderuar i artit dhe muzikës shqiptare.
Ndër interpretimet e tij mbresëlënëse në opera veçohen rolet në operat: “Nusja e shitur”, “Traviata”, “Jolanda’, “Berberi i Seviljes’, “Aleko”, “Eugjen Onjegin”, e shumë role të tjera të spikatura. Pjesëmarrja e tij në koncerte jashtë atdheut ka qenë e shumtë dhe mbresëlënëse si në: ish-Jugosllavi, ish-Bashkimin Sovjetik, Poloni, Gjermani, Çeki, Hungari, Bullgari, Austri, Finlandë, Kubë, Turqi, Kinë, etj. Sa herë do përmendet emri i tij do kujtohet kënga madhore “Për ty Atdhe”.
JETA E RE
Lindi në familje të varfër si njeri i dashur me shpirt të pasur. Në moshë fare të vogël, për arsye ekonomike detyrohet të punësohet në portet e Sarandës dhe më vonë në portin e Durrësit. Në familje ishin gjashtë vëllezër dhe kishin një motër, ai ishte më i madhi. I ati punonte kasap. Pas aktivizimit me grupet ilegale ai u detyrua të dalë maleve partizan. Aty u vendos me në çetën “Kote Hoxha”, derisa përfundoi në Brigadën VI që shkoi me luftime deri në Jugosllavi. Duket sikur ai është bërë të vrasë armiqtë me këngë, jo me plumba, dhe që aty në luftë nis rrugëtimi i tij i shtruar me nota pentagrami betejash. Pas luftës zëri i tij bie në sy të profesionistëve dhe të pushtetit, që në periudhën 1952-1955 dërgohet nga pushteti i atëhershëm komunist që të studiojë për kanto-bass në konservatorin “Çajkovski” në Moskë.
Pikërisht viti 1952 hap një faqe krejt të re në jetën e tij. Për 4-vjet atij i akordohet bursa për në konservatorin P.I. Çajkovski në Gudsielnikov të Moskës, për të kryer studimet e larta në degën e kantos. Mik dhe admirues i tij ishte dhe basi bullgar me famë botërore Nikolla Georev. . Më vonë për fat të keq zëri i tij brilant zuri vendin si korist dhe jo solist në korin e operës në Tiranë. Derisa talenti i tij mori vendin që i takonte, atë të solistit të parë si këngëtar klasik në Teatrin e Operës dhe Baletit, një bas bariton shpërthyes dhe emocionues, një zë i ngrohtë, i dashur për të gjithë. Mentori i muzikës ecën bashkë me vitet, dhe ne kujtojmë madhështinë e tij nëpër skena, dhe interpretimet e tij mbresëlënëse, ku në opera do veçonim: “Nusja e shitur”, “Traviata”, “Jolanda’, rolin e Don Basilios aq të dashur për të, tek “Berberi i Seviljes’, rolin e ciganit tek “Aleko”, rolin e Gremenit tek “Eugjen Onjegin”, e shumë të tjera role të spikatura.
Pjesëmarrja e tij në koncerte jashtë Atdheut ka qenë mjaft e madhe. Duke filluar me ish-Jugosllavinë më 1947, ish-Bashkimin Sovjetik 1949, 1950, Poloni 1955, Gjermani, Çeki, Hungari, Bullgari dhe sërisht në Bashkimin Sovjetik 1959, Austri 1960, Finlandë 1963, R.P. të Kinës 1963, Kubë 1965, Turqi, 1967 Kinë 1967 1972. Në Austri, Finlandë dhe Poloni nderoi vendin me çmime dinjitoze. Ashtu si Naimi, që i këndoi atdheut me vargje, edhe Mentori i këndoi atdheut me zë.
NGA MOSKA NË ATDHE
Pas kthimit në atdhe ai punon si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Më pas me një profesionalizëm të pakrahasueshëm dhe si një habi në botën e muzikës për zërin e rrallë që kishte ai ngrihet si këngëtar në role të ndryshme. Deri në vitet 1975 ai ngre një famë të shpejtë sa vlerësohet me titullin e lartë të Kuvendit të asaj kohe si “Artist i Popullit”. Do të mbeten të paharruar këngët “Për ty atdhe”, romanca “O ju male” e Çesk Zadesë, aria e Don Bazilios nga opera “Berberi i Seviljes” e XH. Rosinit etj. Mentori i muzikës ecën bashkë me madhështinë e tij nëpër skena kombëtare dhe ndërkombëtare, në interpretimet mbresëlënëse. Nga opera mund të veçonim: “Nusja e shitur”, “Traviata”, “Jolanda’, rolin e Don Basilios (i dashuruar pas tij), tek “Berberi i Seviljes’, rolin e ciganit tek “Aleko”, rolin e Gremenit tek “Eugjen Onjegin”, e shumë të tjera role të spikatura.
Ai do mbetet një nga figurat më të shquara të artit vokal, një nga baset më të mëdhenj, një emër i nderuar i artit dhe muzikës shqiptare. Sa herë do përmendet emri i tij do kujtohet himni i vërtetë shqiptar, kënga madhore “Për ty Atdhe”. Jeta dhe karriera e tij kaluan në epoka të vështira si për gjithë kombin shqiptar. Ai mbeti mes këtyre viteve të vështira ashtu siç e meritonte, artist i madh i këtyre epokave, duke u nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”.
KËRKESA NË VJENË
Sipas kujtimeve të Maksi Xhemalit, djalit të madh të këngëtarit, Në vitin 1955 zhvillohet në Varshavë festivali botëror i rinisë, ku në atë kohë mori pjesë edhe kori i operës. Në debutimin që bëri Mentori, i la polakët me gojë hapur, dhe aty Mentori fitoi medaljen e bronzit. Në vitin 1957 festivali u zhvillua në Moskë, ku ai fitoi medaljen e argjendtë, dhe në festivalin e rinisë në Vjenë, ai fitoi medaljen e arit. Aty në Vjenë, Mentori iu propozua që të rrinte në teatrin e Vjenës, nga imprezari i Teatrit të Vjenës, ku i ofruan shuma të mëdha, makina, vila, dhe nga kjo ngjarje e ndodhur në praninë e trupës shqiptare, e cila po e shikonte dhe ishte në ankth për përgjigjen që do të jepte Mentori. Trupën në Vjenë e drejtonte Todi Lubonja.
Mentori u mendua, dhe i tha zotërisë, se unë kam vilë, kam makinë dhe jam i pasur në Shqipëri. Sa iku përfaqësuesi i Teatrit të Vjenës, të gjithë u sulën drejt Mentorit, duke e përqafuar me dashuri shokun e tyre. Kjo ngjarje bëri bujë në Shqipëri, në atë kohë. Në vitin 1961 bë festivalin botëror të rinisë në Helsinki, ai fitoi përsëri medaljen e argjendtë, së bashku me baritonin Ramiz Kovaçi, dhe tenorin Gaqo Çako, edhe këtë dy këngëtarë që kanë bërë epokë në Shqipëri. Në vitin 1962 Mentori, së bashku me sopranon Marie Kraja, morën pjesë në një turne në Çekosllovakinë e atëhershme. Në këtë turne, u caktua një student që ishte në konservatorin e Pragës, e që quhej Ramazan Kaponja, studionte për klarinetë, e që ishte daja i Fatos Qerimit.
Ai u caktua si përkthyes, për të shoqëruar dy artistët. Më vonë ai kaloi klarinetë e parë në orkestrën e T.O.B. Në vitin 1964, Mentori së bashku me tenorin Gaqo Çakon, u nisën për një turne në Republikën e Kubës. Manush Myftiu anëtar i Byrosë Politike, porositi që Mentorit t’i blinin një stof të trashë, që ne i thoshim “gubë”, e t’i qepnin një pallto të mirë. Mirëpo kur arritën në Havana, atje ishte ngrohtë, e nuk ishte nevoja për t’u veshur. Ata shoqëroheshin nga pianistja e talentuar, Lola Gjoka. Në koncertin e parë, u pritën në një sallë të vogël, se menduan se ishin këngëtarë të zakonshëm, por kur dëgjuan interpretimet e tyre, u mahnitën, dhe vendosën të bënin një koncert të madh, të shoqëruar nga televizioni Havanës.
NDËRHYRJA PËR BANESË
Artisti i madh që kishte prekur skenat botërore jetonte me familjen në apartament afër shkollës së kuqe. I biri i tij ka rrëzuar para pak vitesh se “Në Pallatin e Kazazit, ku ne jetonim, kishim një dhomë e një kuzhinë, dhe kur Mentori mbushi 40-vjeç, bëri një ceremoni të vogël në shtëpi, por aty erdhëm shumë personalitete, dhe dhoma u mbush plot, nuk kishte më vend për të tjerët, dhe u detyruan të rrinë në këmbë. Midis të ftuarve, ishte dhe gruaja e kryeministrit shqiptar të asaj kohe, Fiqirete Shehu. Ajo kur shkoi në shtëpi, i tha Mehmetit, se Mentori kishte një banesë me një dhomë e kuzhinë, dhe që ne nuk kishim vend ku të rrinim. Ai dha urdhër, që Mentorit t’i jepet banesë 3+1, duke porositur edhe Komitetin e Partisë për Tiranën.
Mbas një farë kohe, na erdhi Sekretari i Partisë, dhe takoi mamanë time, sepse Mentori ishte në Kubë për turne. Mamaja më mori, dhe mua dhe shkuam bashkë me sekretarin e Partisë, për të parë banesën. Ajo ishte tek Kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, pikërisht lart mapos, që ishte në katin e dytë. Atje kishte jetuar shkrimtari Ismail Kadare, i cili ishte strehuar tek pallati përballë Teatrit të Operës, tek hyrja ku futen artistët. Ne e pamë shtëpinë, dhe unë bëra një gabim të madh, vetëm se mamaja tha që qenka dhomë, paradhomë, unë dhe mamaja nuk pranuam, duke bërë një gabim të pafalshëm. Na çuan në banesën në rrugën e Durrësit, që ishte një vilë dykatëshe, e vjetër, mbrapa ish Pallatit të Oficerëve, e që kishte një oborr të vogël. E pranuam këtë shtëpi, në të cilën jetuam afro 50 vite, derisa në vitin 1992, ajo i kaloi pronarit që e kishte pasur, duke bërë që ne të ishim familje e pastrehë”.
Kur erdhi për një vizitë në Shqipëri Tito Skipa, një tenor i famshëm italian, i cili ishte kryetar jurie në festivalet botërore, dhe ishte pikërisht ai, që kishte firmosur për medaljen e artë që Mentori mori në Festivalin Botëror në Vjenë. Ai kërkoi që të bënte një vizitë në shtëpinë e Mentorit. Menjëherë reaguan organet e shtetit, duke i dhuruar Mentorit një dhomë gjumi, dhe një piano, të cilën e kam akoma, dhe e ruaj si një relike të Mentorit. Tek ajo piano, kompozitori i madh Pjetër Gaci, i tregoi Mentorit melodinë e këngës, ‘Për Ty Atdhe’. Mentor Xhemali ishte këngëtari i himneve.”/Panorama