Qytetarë dhe përfaqësues të opozitës janë mbledhur këtë të premte në protestën e thirrur nga Partia Demokratike, përgjatë bulevardit “Zogu i Parë”, për të denoncuar atë që e konsiderojnë një “masakër zgjedhore” gjatë zgjedhjeve të 11 majit. Protesta përkon me praninë në Tiranë të shumë liderëve evropianë që marrin pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian.
Oerd Bylykbashi, nënkryetar i PD-së, gjatë deklaratës së tij për mediat, akuzoi qeverinë se ka shkatërruar zgjedhjet me përdorimin e shtetit dhe krimit të organizuar. Sipas tij, rezultati zgjedhor është i manipuluar dhe deformon vullnetin e qytetarëve.
“Mjafton të ndjekësh votën e një kandidati për të gjetur krimin. Në Durrës bënë çmos për të arritur 9 mandate me krimin, por nuk ia arritën. Në qarqet e tjera e bënë, me dhunë, me intimidim.”
Ai theksoi se liderët evropianë që ndodhen në Tiranë janë tani dëshmitarë të kësaj proteste dhe të problematikave që opozita ngre për zgjedhjet.
Bylykbashi kërkoi ndryshim të menjëhershëm të sistemit zgjedhor, duke kritikuar ndryshimet e vitit 2020 të bëra njëanshmërisht nga Partia Socialiste:
“Pas ndryshimeve të njëanshme të 2020, sistemi nuk garanton më të drejtën e votës. Asnjë ligj s’është bërë për mbrojtjen e votës përballë këtij krimi. PS gatuajti çorbën me kërpëratën në parlament.”
Ai paralajmëroi se nëse nuk ndryshon sistemi, vendi do përballet me një përkeqësim të vazhdueshëm të standardeve demokratike, duke e mbyllur deklaratën me thirrjen që “asnjë ligj nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik për zgjedhje të ndershme”.