Meksika po kërkon kompensim nga kompania prodhuese e yllit të YouTube-it, MrBeast, duke e akuzuar për përdorimin e imazheve të vendeve arkeologjike të lashta të vendit për të reklamuar një markë çokollate, raporton The Guardian.
Një video e publikuar nga youtuberi i njohur, ku ai viziton rrënojat e qytetërimit Maja, është parë rreth 60 milionë herë që nga data 10 maj në YouTube, ku ai ka 395 milionë ndjekës.
Në videon e titulluar “Eksplorova Tempullin e Lashtë 2,000-vjeçar”, influencuesi viziton qytete të lashta maja, përfshirë Calakmul dhe Chichén Itzá në juglindje të Meksikës. “S’mund ta besoj që qeveria po na lejon ta bëjmë këtë”, thotë ai pasi hyn në një piramidë, duke nxitur kritika nga disa përdorues që u ankuan se MrBeast kishte qasje në zona të ndaluara për qytetarët meksikanë.
Të mërkurën, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, kërkoi sqarim për kushtet në të cilat youtuberi kishte marrë leje për hyrje.
Në video, influencuesi reklamon gjithashtu produktet e tij ushqimore, duke i quajtur “të aprovuar nga Majat”, çka nxiti një ankesë zyrtare nga Instituti Kombëtar i Arkeologjisë dhe Historisë (INAH). Megjithëse Meksika “gëzohet që youtuberët dhe të rinjtë në mbarë botën vlerësojnë qytetërimet tona autoktone”, ajo “dënon ashpër ata që përfitojnë nga ky vlerësim”, shkroi instituti në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, leja e dhënë për kompaninë prodhuese Full Circle Media nuk autorizonte “përdorimin e imazheve të vendeve arkeologjike për reklamimin e markave tregtare për përfitime private”.
Meksika “po kërkon kompensim për dëmet dhe një tërheqje publike, për shkak të mosrespektimit të kushteve të marrëveshjes”, thuhet më tej.
Në Mérida, kryeqyteti i shtetit Yucatán, ku ndodhet Chichén Itzá, disa banorë shprehën pakënaqësi për qasjen që iu dha youtuber-it.
“Kufizimet dhe rregulloret duhet të vlejnë për të gjithë: turistët vendas, vizitorët e huaj, si dhe ne vendasit”, tha Jose Elias Aguayo, 53 vjeç, një udhërrëfyes turistik.