Ballina Opinion Rënia e Salikratit të tretë dhe fitorja e berishizmit përjetë

Rënia e Salikratit të tretë dhe fitorja e berishizmit përjetë

0
109

Nga Klevis Bakillari

Dy janë rezultatet madhështore si produkte të 11 Majit. Mbyllja e shishes ku Berisha ka futur PD-në e tij dhe çarja e ‘tollumbaces së helmit’ të elektoratit gri.
Janë dy dukuri vektorialisht të kundërta. E para e programuar,e dyta e vonuar.

Fillimisht duhet ta pranojmë se Saliu fitoi gjithçka nga këto zgjedhje. Saliu na mundi të gjithëve, me hilè gjeniale. Ai privatizoi pakthyeshmërisht Partinë kur e sulmoi dhunshëm selinë e PD. Me qysqi! Ndërsa sot ka fituar përfundimisht të drejtën hyjnore të trashëgueshmërisë saj.Për këtë hyri në zgjedhje Saliu. Këtë e shpalosi ndërtimi i listës së mbyllur. Dhe e vulosi mosreagimin e listës pas humbjes. Një hyjni me qysqi të cilin vetë djalli do ta kishte zili.
Pra në shishen e Saliut ka shejtandeputetë të cilët luajtën të gjitha hiletë e padrinos së Partisë Damkosur. Saliu nuk e deshi Drejtësinë,as Shqipërinë. Saliu e deshi Partinë për lirinë e pasurinë. Në thelb ky nënshtrim tek planet e tij monstruoze antidemokratike,është shitja e fundit për të blerë karrigen e fundit parlamentare.
Damkosja berishiste me amoralitet politik e deputeteve të listës së mbyllur në shishen e Saliut, nuk u jep më asnjë shans pranueshmërie në shoqëri edhe nëse PD i vjen një kryetar i ri. Gjithnjë pas fundit biologjik të Saliut.
Hileja tjetër po aq gjeniale, ishte afrimi i LaCivitës këtij ‘mëkatari emeritus’ për të treguar poshtë në bazë dhe elektoratit gri se ishte rehabilituar ndërkombëtarisht; apo i deputetes italiane e cila na tregonte me shumë pathos sesi Berlusconi na shihte i buzëqeshur nga lart. Këto,bashkë me lutjet nëpër Rezoluta dhe lobimi i dëshpëruar në ShBA, ishin hi syve nga hiri çka shqiptarëve u kish mbetur prej PD së tyre.

Por reagimi i shqiptarëve(që e duan Shqipërinë atje tek Europa ,jo tek gropa) ishte po aq spektakolar. Shqiptarët jo vetëm që nuk e votuan Saliun por e shndërruan PD-në në një parti militanteske. Shoqëria u tregua refraktare ndaj Saliut edhe pse kishte një pezmatim të konsiderueshëm politik. Kjo shihet tek palekundshmëria e elektoratit gri që zgjodhi pjesërisht PS-në apo iku drejt partive të reja. Si rezultat edhe i rezistencës parimore që partitë e reja treguan ndaj Berishizmit.
11 Maji ishte etapa e fundit e tranzicionit. Saliu i vuri tapën PD-së.Berishizmi fitoi përjetë mbi PD-në. Shqipëria shpëtoi nga makthet e kthimit të Salikratit të tretë. Shqiptarët mbyllën tranzicionin. Likuiduan PD-në e Saliut. Kohë për të ndërtuar një opozitë tjetër!/ bulevardnews