Amal Clooney ishte padyshim një nga yjet që spikati më së shumti në premierën e filmit të ri dokumentar “Bono: Stories of Surrender”, të mbajtur të enjten në Festivalin e Filmit në Kanë.
Avokatja e të drejtave të njeriut dhe bashkëshortja e aktorit të famshëm George Clooney, u shfaq me një pamje të frymëzuar nga eleganca e Hollywood-it të vjetër, duke veshur një fustan të zi të gjatë dhe rrjedhshëm, që theksonte linjat e saj të hijshme, shkruan DailyMail.
Në moshën 47-vjeçare, Amal dukej e mrekullueshme në këtë veshje me prerje të theksuar në bel dhe dekolte në formë zemre, ndërsa pjesa e pasme e fustanit zgjatej në një bisht të lehtë që i jepte lëvizjes së saj një hijeshi të veçantë në tapetin e kuq.
Flokët e saj kastanjë i kishte stiluar në onde të lira që binin mbi supe, ndërsa pamjen e plotësoi me një palë vëthë të varur argjendi, të thjeshtë por elegantë – të përzgjedhur me shije të hollë për këtë paraqitje.
Ndërkohë që shumë të ftuar eksperimentuan me stilin e tyre në këtë event, ishte Amal Clooney ajo që përfaqësoi më së miri kombinimin e klasit dhe finesës, duke reflektuar një bukuri natyrale, një prani të qetë dhe një stil të pakohë në një nga tapetet e kuq më të rëndësishëm të botës së kinemasë.
Kjo paraqitje e saj në Kanë vjen ndërsa festivali këtë vit ka vendosur rregulla të reja për veshjet e të ftuarve në tapetin e kuq, duke ndaluar zhveshjen provokuese dhe veshjet “transparente” për hir të decencës publike.
Por Amal, pa pasur nevojë për ekzagjerime, konfirmoi se eleganca e vërtetë qëndron gjithmonë në thjeshtësi dhe klas.