Beatriçe Gjergji, do të ngjitet në skenën e finales së Eurovizionit, duke përfaqësuar Shqipërinë. Ky është një moment i veçantë, për të gjithë shqiptarët e veçanërisht, për prindërit e këngëtares.
Babai i saj, në emisionin “Një Shqipëri”, tha se ai, së bashku me mamanë e këngëtares, kanë dy muaj që nuk flenë për këngën “Zjarm”, pasi mundohen që të sjellin më të mirën për vendin tonë.
„Janë disa emocione të forta. Kemi rreth dy muaj, që unë dhe gruaja ime nuk flemë. Mundohemi të sjellim më të mirën e mundshme për vendin tonë.”
Sipas Mario Gjergjit kënga “Zjerm” ka dalë nga shpirti i Beatriçes dhe përmes kësaj kënge është gjetur një gjuhë dhe dashuri, për vendin.
“Kënga zjerm ka dalë nga shpirti i saj. Janë të gjitha, fjalë shpirti. Për mua, kjo këngë është si të jetë pjesë e trupit. Gjithkund më shoqëron. Jam habitur që kjo këngë ka kënaqur dhe popujt e botës. Kjo është një këngë ku Kola dhe Beatriçe, kanë bërë një miks të jashtëzakonshëm. Kanë gjetur një gjuhë dhe dashuri për vendin e vet. Vajza ime dhe Kola, të rinjtë i kanë futur në një dashuri të madhe për kombin. Beatriçja ka një natyrë që është njeri i thjeshtë, atë që ka e shpreh’ me thjeshtësinë e saj. Ajo ka shoqëri me të gjitha grupet e eurovizionit.“