Ballina Kulturë Finalja e ‘Eurovision’/ Sondazhi i Wiwiblogs e rendit të parën këngën ‘Zjerm’

Finalja e ‘Eurovision’/ Sondazhi i Wiwiblogs e rendit të parën këngën ‘Zjerm’

31
0

Shkodra Elektronike, dyshja që përfaqëson Shqipërinë në Eurovision 2025, do të ngjitet këtë të shtunën në skenën e madhe të Bazelit në natën finale. Beatriçe Gjergji dhe Kol Laca performojnë të fundit, renditja më strategjike që mund t’u sjellë fat për renditjen përfundimtare. Dhe lajmet e mira kanë nisur vetëm pak orë para hapjes së siparit të një prej kompeticioneve muzikore më të ndjekur të globit.

Wiwiblogs, një prej blogjeve më të njohur që merret hap pas hapi me analizimin e këngëve, këngëtarëve pjesëmarrës dhe shancet e secilit në renditjen përfundimtare, projekton Shqipërinë me këngën “Zjerm” fituese të këtij edicioni.

Duke vlerësuar uniken dhe autenticitetin që dyshja shkodrane përcolli në natën e parë gjysmëfinale në skenë, Wiwiblogs e klasifikon në krye të renditjes, duke pasur parasysh konkurencën e frikshme të këtij viti.

10 gazetarë të Wiwiblogs e vlerësojnë këngën “Zjerm” me 73 pikë në total, po aq sa këngën e Finlandës, ndjekur nga Austria, Suedia dhe Greqia. 3 nga 10 gazetarë i japin nga 12 pikë maksimale, ndërsa 7 të tjerët me më pak pikë, por të mjaftueshme për të qëndruar në majë të klasifikimit.