Ballina Bota Stuhitë kanë marrë të paktën shtatë jetë, dëme të mëdha shkaktohen në...

Stuhitë kanë marrë të paktën shtatë jetë, dëme të mëdha shkaktohen në SHBA

23
0

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën pas stuhive të forta dhe të paktën një tornados që kanë goditur shtetin amerikan të Missourit, ku autoritetet po kërkojnë nga një ndërtesë në tjetrën për të gjetur të plagosurit.

Stuhitë ishin pjesë e një moti ekstrem që shkaktoi dëme të mëdha në Missouri, solli tornado në shtetin e Wiconsinit dhe la qindra mijëra familje pa energji elektrike në rajonin e Liqeneve të Mëdha, si dhe shkaktoi një valë të nxehti në shtetin e Teksasit.

Të premten pasdite, stuhitë kanë hequr çatitë e ndërtesave, kanë thyer dritare, kanë rrëzuar tulla, si dhe kanë shkulur pemë dhe tela elektrikë.

Kryetarja e bashkisë së Saint Louis, Kara Spenser, konfirmoi se pesë persona kanë humbur jetën në këtë qytet dhe se janë prekur mbi 5000 banesa, ndërsa rreth 100 mijë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike të premten në mbrëmje. Ajo tha se situata është shumë e vështirë dhe se qyteti po përgatitet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, ndërkohë që është vendosur orë policore nga e premtja në të shtunën në lagjet më të goditura.

Nuk dihet ende saktësisht sa persona janë plagosur. Spitali hebraik “Barns” ka pranuar të paktën 20 pacientë të plagosur nga stuhia, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por shumica janë lëshuar gjatë mbrëmjes, tha një zëdhënëse e spitalit. Spitali i fëmijëve në Saint Louis ka pranuar 15 pacientë, nga të cilët dy do të qëndrojnë të shtruar gjatë fundjavës, shtoi ajo.

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik njoftoi se radari i tyre ka regjistruar një tornado mes orës 14:30 dhe 14:50 të premten në Clayton, Missouri, në zonën e Saint Louis.

Shërbimi i zjarrfikësve të Saint Louis bëri të ditur se kanë shpëtuar tre persona kur një pjesë e kishës është shembur në qytet, por një prej tyre ka ndërruar jetë.

Pemët dhe semaforët e rrëzuar shkaktuan gjithashtu kaos në trafik të premten pasdite, dhe zyrtarët u bënë thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi, shkruan nbc.

Një tornado ka goditur edhe qarkun Scott rreth 200 kilometra në jug të Saint Louis, ku dy persona kanë humbur jetën, disa të tjerë janë plagosur dhe shumë shtëpi janë shkatërruar, bëri të ditur sherifi Derrick Whitley përmes rrjeteve sociale. Parashikimet e motit kanë dhënë alarme për stuhi me mundësi tornadosh, breshëri të fuqishëm dhe erëra me forcë tornadoje që mund të prekin pjesë të rajonit të Mesëm Perëndimor të SHBA-së të premten.

Një paralajmërim për tornado u dha edhe në zonën e Marionit në shtetin Illinois të premten në mbrëmje, por aktualisht nuk ka raportime për dëme apo të plagosur.

Një paralajmërim për stuhi pluhuri u dha në zonën e Chicagos të premten në mbrëmje. Shërbimi meteorologjik njoftoi se pluhuri po përhapet në një vijë prej 160 kilometrash nga jugperëndimi i Chixagos deri në veriun e shtetit Indiana dhe po ul ndjeshëm dukshmërinë.

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik lëshoi gjithashtu një paralajmërim për banorët e Kentucky, jugut të Indianas, jugut të Illinois-it, pjesëve të Tennessee, Missourit, Arkansasit dhe Ohios për stuhi të forta që mund të përfshijnë breshër të madh dhe erëra më të forta se 120 kilometra në orë të premten në mbrëmje.

Shteti i Teksasit po përballet me një valë të madhe të nxehti. Një paralajmërim për nxehtësi është dhënë nga San Antonio deri në Austin, me temperatura nga 35 deri në 40.5 gradë Celsius. Edhe pjesët jugore të bregut lindor të SHBA-së, nga shtetet e Virginias deri në Floridë, po përballen me nxehtësi që shkon nga 32 deri në 37 gradë Celsius.

Lagështia e parashikuar për fundjavën do ta bëjë ndjesinë e të nxehtit edhe më të lartë, ka paralajmëruar shërbimi kombëtar meteorologjik.