Të hënën e 19 majit, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet përsëri në mënyrë që të arrihet konstituimi i këtij institucioni. Kjo do të jetë tentativa e 18-të me radhë.
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje përmes kryesuesit të seancës dje doli me propozim që seanca të mbahet një herë në javë e jo çdo 48 orë, bashkëkryesuesja e seancës që vije nga PDK, doli kundër këtij propozimi, duke thënë se janë të gatshëm të punojnë çdo ditë.
Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, dje pas dështimit të seancës tha se propozimi që seanca të mbahet një herënëjavë e ka bërë pasi nuk ka kuptim deputetët të vijnë çdo 48 orë në Kuvend kur rezultati po del i njejtë.
Dehari thotë se në seancën e radhës që do të mbahet më 19 maj, pret që grupet parlamentare të sjellin një vendim për këtë propozim.
“Ata po deklarohen para medieve sepse nuk ka kuptim që të vijnë çdo 48 orë, për shkak se rezultati po del i njëjtë dhe unë e pashë të nevojshme që të konsultohem me ta, nëse janë të mendimit ata shprehen mendimin që të konsultohen me grupet e tyre parlamentare dhe në seancën tjetër të sjellin një vendim. Rregullorja obligon që t`i thërrasësh deri sa nuk ka një zgjidhje, natyrisht do të ishte më mirë që të kishte zgjidhje, por derisa nuk ka zgjidhje detyrohesh t`i thërrasësh çdo 48 orë”, ka deklaruar Dehari dje pas dështimit të konstituimit të Kuvendit.
Por, bashkëkryesuesja e seancës, deputetja më e re e Kuvendit që vije nga PDK, Sala Jashari, ka dalë kundër këtij propozimi duke thënë se kërkesa e Vetëvendosjes që seancat të mbahen një herë në javë, tregojnë dëshirën e kësaj partie për ta zgjatur bllokadën institucionale.
Ajo dje përmes një postimi në Facebook ka shkruar se PDK është e gatshme të jetë e pranishme çdo ditë në Kuvend, për të zhbllokuar situatën.
“Kërkesa e VV-së për ta kufizuar mbajtjen e seancave vetëm një herë në javë flet më shumë se çdo deklaratë tjetër që mund të jepet. Kjo kërkesë tregon qartë dëshirën dhe nevojën për ta zgjatur bllokadën institucionale — një dëshmi e mungesës së vullnetit dhe aftësisë për të krijuar institucionet e reja”.
“Ne nuk kërkojmë seanca një herë në javë, as çdo 48 orë. Ne jemi të gatshëm të jemi të pranishëm çdo ditë, në çdo moment, në Kuvendin e Kosovës, për të punuar drejt zhbllokimit të situatës. Kjo kërkesë e sotme është një tjetër alarm zgjimi për të gjithë. Është e qartë që VV-ja po përpiqet të kontrollojë dhe kurdisë procesin vetëm kur i konvenon asaj!”, ka shkruar ajo.
Seanca nesër është thirrë për në ora 10:30.