Ballina Kosovë Organizata e Veteranëve i shkruan Grenellit: Gjykata Speciale është një turp për...

Organizata e Veteranëve i shkruan Grenellit: Gjykata Speciale është një turp për SHBA!

19
0

Gjykata Speciale, e cila po gjykon krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, “duhet të mbyllet, sepse është një turp për drejtësinë amerikane dhe për vlerat amerikane”.

Këtë apel, Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ia drejtoi të dielën përfaqësuesit të presidentit Donald Trump për misionet speciale, amerikanit Richard Grenell.

Nismat parlamentare për zhbërjen e Gjykatës Speciale nisën në vitin 2017, dy vjet pas formimit të saj me vendim të Kuvendit të Kosovës nën presionin ndërkombëtar. Vetë z. Grenell është shprehur më herët se Gjykata “ka shpenzuar kot miliarda dollarë”, duke shtuar se edhe mbajtja e ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë është një “padrejtësi e madhe”.

Tatimpaguesit amerikanë nuk i kanë dërguar paratë e tyre të fituara me djersë në Evropë për të financuar një gjykatë që shkel vlerat mbi të cilat është ndërtuar Amerika. Presidenti Trump po rishkruan rregullat e vjetruara të kontrollit politik ndaj drejtësisë së pavarur dhe sipas këtyre rregullave të reja, kjo gjykatë duhet të mbyllet. Ajo është një turp për drejtësinë amerikane dhe për vlerat amerikane,” thuhet në letrën e veteranëve të UÇK-së.

Ish-presidenti Thaçi, ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli; deputeti Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, po mbahen në izolim prej tetorit 2020 me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë kohës kur ata ishin në krye të zinxhirit komandues në luftën e Kosovës ndaj Serbisë.

Përballë drejtësisë kemi dalë edhe më herët (në Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë), dhe nuk kemi ikur. Liderët tanë atëherë dhanë dorëheqje vullnetarisht për të dëshmuar pastërtinë e luftës sonë, sepse kur drejtësia është e drejtë, e vërteta fiton. E Dhomat e Specializuara? Kjo nuk është drejtësi. Kjo është një gjueti shtrigash. Presidenti Trump e di më mirë se kushdo tjetër se kur drejtësia rrëmbehet nga elitat politike, ajo kthehet në një armë për të heshtur patriotët. Pikërisht kjo gjykatë është bërë një mjet për të heshtur ata që sollën paqen, ndalën gjenocidin, dhe mbrojtën lirinë.

Amerika ishte me ne kur na duhej më së shumti. Dhe tani po ju kërkojmë sërish, ju lutemi, mos lejoni që kjo gjykatë të shkruajë një histori të rreme. Mos lejoni që elitat e korruptuara të shndërrojnë veteranët në horra,” thuhet në letrën e OVL-UÇK-së.

Gjykata Speciale me seli në Hagë financohet nga BE-ja, SHBA-ja dhe vende të tjera, edhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës.