Ballina Dossier “Aman bre burrë për hatër të Zotit, mos…”- Kujtimet e Ahmet Bushatit:...

“Aman bre burrë për hatër të Zotit, mos…”- Kujtimet e Ahmet Bushatit: Shumë të burgosur, duke mos duruar torturën…

30
0

Nga Ahmet Bushati 

Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhëtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve.

“Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Në Gjurmët e një ditari

Unë i shpjegova me atë rast aq sa mund t’iu shpjegonte nji polici në ato rrethana, ndërkohë që ai, i prekun përsa po ndigjonte, më ndiqte me vëmendje. Biseduem për disa minuta dhe mandej u ndamë. Para se të linte shërbimin, ai erdhi edhe nji herë që të më përshëndeste, me shpresë që t’u takojshim të nesërmen, gja që s’ndodhi, sepse atë s’e caktuan ma me shërbim aty, gjatë atyne ditëve të mia të fundit në atë burg. E nëse s’e pashë kurrë ma, unë gjatë gjithë jetës, e kam kujtue me mirënjohje.

Dalim në gjyq e përfundimisht unë largohem prej qelive të Sigurimit

Fillimisht po vë në dukje nji gja që në ato kohë nuk bante përshtypje. Nji javë para daljes tonë në gjyq, Sigurimi me anë të nji punonjësi të tij, për shumë “ligjshmëri”, fletë-arrestet që si rregull jepen qyshë në ditën e parë të arrestimit të nji njeriu, mue e shokëve të mi do të na u dorëzojshin mbas plot nji vjeti e gjysë, që ishim burgosë!

Në mëngjesin e dt. 24 qershor 1949, në oborrin e mbrapëm të Sigurimit, kishin sjellë prej burgut të Gestapos shokët e mi, prej ku së bashku, do të shkojshim në gjyq. Në kohën që policët po na lidhshin dy për dy, na folëm përzemërsisht me njeni-tjetrin, mbas aq kohe që s’ishim pa. Tue dalë të lidhun prej portës së mbrapme të oborrit të Sigurimit, me drejtim shtëpinë e Pogut në lagjen “Badre”, ku do t’u zhvillonte gjyqi, ne kaluem kryenaltë e tue iu përgjegjë, – si mbas rastit – me shikime apo edhe me buzëqeshje, shikimeve dashamirëse të disa qytetarëve të rastit.

Ashtu si nuk e pritshim, gjyqi jonë nuk do t’u zhvillonte i hapun, si deri atëherë për grupet e tjera që kishin dalë para nesh, kështu që na nuk mund të bajshim ma denoncim publik, për torturat që Sigurimi kishte ushtrue mbi ne. Sa pa fillue seanca, nji anëtar i trupit gjykues, si i porositun që kishte qenë qysh ma parë, do t’u ngrinte e të fliste: “Me qëllim dhe të ruhet sekreti i organit të Sigurimit, unë propozoj që gjyqi të zhvillohet me dyer të mbylluna”.

Qyshkurse unë përfundimisht pata shpëtue me jetë prej torturave, ideja se nji ditë në gjyq do të denoncojsha gjithë torturat që më ishin ba, pa kursye asnji rast dhe asnji emëri hetuesi, kishte qenë ngushllimi i im i përditshëm. Kishin qenë me qinda formulimet që unë, ditë për ditë, kisha ndërtue në mendjen time për atë rast, e kjo jo vetëm që të shprehsha zemërimin e urrejtjen time ma të thellë për ata kriminelë të Sigurimit, po edhe që popullit t’i tregojshim shpirtin tonë e, kauzën për të cilën u ndodhshim aty.

Ishte vërtetë për t’ardhë shumë keq, që nji paraburgim aq i gjatë e i mbushun me aq shumë vuejtje, të kishte për epilog nji gjyq të zbehtë e formal, pa popull e dëshmitarë, e që do të përfundonte para se me fillue, ashtu si nuk e meritonte. Gjatë zhvillimit të seancës u denoncuen me forcë torturat që na ishin ba në Sigurim, por ç’e do, kur s’kishte kush t’i ndigjonte! Për të provue gjoja nëse vërtetë ishin ushtrue tortura mbi ne, aty thirrën për të dëshmue vetë Ali Xhungën, i cili edhe në atë rast, bardh në fytyrë e, me nji buzëqeshje të shtime, në jo ma shumë se dy minuta, mohoi paturpësisht gjithçka dhe u largue i kënaqun që mbaroi punë aq shpejt.

Ne ishim grupi i parë që dilshim në gjyq mbas atij të Pjerin Kçirës dhe përsëri i pari grup mbas atij të Pjerin Kçirës, që po u gjykojshim me dyer të mbylluna, – me qëllim që populli t’mos mësonte nga torturat që na ishin ba si dhe nga nji trup gjykues ushtarak dhe jo ma civil si deri atëherë. Ai gjyq i jonë nuk do të kishte kritere dhe as përmbajtje e do të kalonte nën indiferentizmin e vetë atij trupi gjykues, të cilit, si i ngarkuem së voni për me gjykue çështjen tonë, sikur po i interesonte vetëm përfundimi sa ma shpejt i tij, tue mos qenë nevoja që ndoshta t’u mendojshin as për dënimet që duhet t’u ishin servirë qysh ma parë nga të tjerët. Ma së shumti ai gjyq do t’u karakterizonte prej protestave tona e sidomos nga ana e ndonji shoku tonë, i cili, me ose pa leje, herë mbas here do të shpërthente tue shfrye zemërimin e tij ndaj hetuesve, që me tortura e kishin detyrue të bante proçes.

Nëse ai trup gjykues i kryesuem prej nji ushtaraku me gradë kapiten, – që vite ma parë kishte qenë student i Gjimnazit të Shkodrës, në nji klasë me Ruzhdi Çobën, Qemal Draçinin etj. – nuk do t’u shqetësonte shumë prej qëndrimit tonë revoltues, prokurorit Namik Qemali, nga Vlona e me gradë major, urrejtjen ndaj nesh, nuk do t’ia tregojshin vetëm fjalët e tonet nervoze, po edhe fytyra e tij e zezë, që gjithë kohën do të qëndronte e randë dhe gjithë urrejtje për ne. Ndër tjera, ai prokuror komunist, do të më pyeste: “Si je shprehur ti, Ahmet Bushati, për Kosovën”? dhe, kur unë t’iu përgjigjsha se; “Kosova ishte shqiptare”, ai, si për nji “sakrilegj” që unë të kisha krye me atë rast, do të bërtiste fort e prej zemërimit, do të përplaste me forcë për dysheme nji lapës me majë të mprehtë, që deri atëherë po e përdridhte nëpër duer.

Kaq fortë e i thellë do t’ishte indoktrinimi i komunistëve shqiptarë, pra edhe i nji Namik Qemali, që si vegla të mohimit e rrënimit të çdo vlere njerëzore e kombëtare që ishin, aq shumë kishin humbë edhe nga logjika, sa edhe pse të kishte kalue nji vit nga koha kur Enver Hoxha t’ishte prishë me Jugosllavi, ata përsëri do të vazhdojshin me e quejtë Kosovën “reaksionare” e, me e përbuzë e urrejtë njisoj si anmiqtë e saj serbë. Gjyqi jonë e vendimet e tij, si të paracaktuem që ishin, nuk kishin pse t’u zgjatshin. Mbas ndonji dite tjetër na nxorën përsëri në gjyq e, në mbas drekën e saj, u dhanë pretencë e vendim njeni mbas tjetrit. Avoketënt tonë të nderuem si Çerankoviç, Tedeskini e Shehu, folën nga fare pak fjalë secili, mbasi që aty u pa se asgja s’kishte randësi.

Tue u largue prej atij burgu të Sigurimit, unë po lejsha mbrapa nji vit e gjysë jetë biruce në vetmi e me tortura, po lejsha mbrapa atë ferr të pashembullt komunist, nëpër të cilin para meje kishin kalue me qinda e qinda burra e djem të shquem të qytetit tonë, për nji haraç të madh që vendi jonë duhet t’i paguente vampirit komunist. Tue lanë mbrapa atë burg me biruca si vorre mbi dhe, unë po merrsha me vete edhe mbresa nga ma të trishtueshmet. Po sa kishin kenë ata burra, që aty prej torturash të kishin lypë vdekjen disa herë, e në pamundësi për ta gjetë atë, nji ditë do t’u dorëzojshin tue nënshkrue proçese poshtnuese, me të cilët ata, veç vetes, do të fajsojshin edhe shokë e miq të tyne të pafajshëm, e natyrisht, për të kalue mandej vite me krye për tokë e, ndërgjegje të vrame.

Po ndërkaq, nuk kanë qenë të pakët edhe ata që për nderë e emën të mirë, të kenë durue me dinjitet e deri në fund torturat, deri sa nji ditë të jepshin shpirt ndër duerët e hetuesve të tyne kriminelë. Shumë përshtypje do të më kishte ba rasti, kur të kisha ndigjue ndonji burrë, që tue mos mundë ma me durue torturën që i bante hetuesi i tij mizor, t’iu luste atij me nji za të shuem, që i thonte: “Aman bre burrë, mos ma”! “Aman, për hatër t’Zotit, mos ma”!

Tue u largue me pikëllim për njerëzit e atij burgu-skëterre, që po m’u dukte edhe ma i zymtë e i mjerë se kur isha brenda tij, e edhe se vetë nata që sapo kishte ra, si dhe pa ditë me mendue ma për asgja, mue bashkë me të dënuemit ish-nxanës të amerikanit Fultz, e ndonji tjetër, të lidhun dy nga dy, na nisën përfundimisht për në Burgun e Ri.

PJESA E III

NDER BURGJE E KAMPE

Burgu i Ri

Kur dolëm nga “Dega” – tashma të bashkuem edhe me shokët me të cilët rreth nji orë ma parë kishim krye punë me gjyq – pamë se në rrugë po na pritshin pjesëtarë të familjeve tona, që u dukshin mjaft të dëshpruem për dënimet që kishim marrë atë mbas dreke: Xhevat Quku me dymbëdhjetë vjet burg, Ruzhdi Çoba e Remzi Quku, me nga dhjete, Ernest Perdoda me tetë, kurse Thabit Rusi, Tomë Sheldja, Refik Bushati dhe unë, me nga shtatë vjet burg. Ndërsa ecshim, u përpiqshim me iu dhanë zemër njerëzve tonë. Kujtoj që unë i thashë nji motre: “Të jeni të lumtun që dola i gjallë prej Sigurimit e, sa për dënimet, shëndosh qoshim”! Anash nesh, përveç policëve e njerëzve tonë, u shifshin edhe do adoleshentë, mes të cilëve edhe nga të lagjes time, që me shqetësim e revoltë të dukshme ndër fytyra, si dhe me gjeste, kërkojshin me tregue solidaritet me gjendjen shpirtnore të familjarëve tonë.

Në krye të nja njiqind metrave rrugë, pak mbasi këputem rrugën “Serreq” – “Perash”, u futëm në nji si rrugicë e shkurtë e shumë shpejt u ndodhëm para nji dere të madhe e karakteristike shkodrane, mbas së cilës na u shfaq përnjiherë nji oborr relativisht i gjatë, por jo i gjanë, në fundin e të cilit u ngrinte nji godinë dykatëshe, e cila q’prej dy vjetësh shërbente si burg e u quante “Burgu i Ri”, që për nga madhësia vinte i dyti mbas Burgut të Madh. Shumë shpejt do të mësojshim se ajo ndërtesë në të kaluemen kishte qenë shtëpi e familjes Çeka e disa të tjerë, kushedi se për ç’shkak, do ta quejshin edhe “Burgu i Sumës”, kështu që ai burg si mbas rastit do t’u quante, herë “Burgu i Ri”, herë i “Çekës”, e ndoshta edhe ma shpesh, i “Sumës”!

Mbas portës së hymjes, vinte nji korridor me gjanisi rreth 3 metra, brenda të cilit ishte sajue nji si dhomëz për policin e shërbimit, tue shfrytëzue për atë qëllim dy faqet ekzistuese me mur të vetë korridorit, kurse dy faqet e tjera, do t’u përbajshin prej dy parete hekurash të trashë, që shkojshin nalt deri në tavan. Në të dy paretet prej hekurash kishte nga nji “deriçkë” për lëvizjen e policit të shërbimit, si dhe për lëvizjet e mundshme të të burgosunve politikë të të tri dhomave poshtë.

Drejtoria e burgut dhe të burgosunit ordinerë, qëndrojshin sipër, në katin mbi ne. Edhe takimet e të burgosunve te tri dhomave poshtë, – nji herë në pesëmbëdhjetë ditësh – këtu do t’u bajshin: i burgosuni do të qëndronte mbas njenit paret me hekura e, në paretin tjetër përballë, familjarët e tij, kurse polici mes dy palëve, i ulun në nji karrige me tryezë të vogël para. Brenda kësaj dhomëze atë natë të parë, mbasi na banë nga nji fotografi për shoq e, po ashtu na morën edhe gjurmët e gishtave, na zgjidhën duersh, për të na kalue si të shpenguem në pjesën e mbetun të korridorit, që ishte me dy dyer anash e nji të tretë në ballë, sipër të cilave përkatësisht u shënojshin numrat 1 djathtas, 2 majtas e 3 ajo para.

Ndërsa dy dhomat anash, pra 1-shi e 2-shi, ishin të ngrijtuna me nga nji kambë shkallë e të shtrueme me dërrasa – sobat e njohuna të Shkodrës – ajo me numër 3 qëndronte në kuotën e ultë të korridorit dhe ishte e shtrueme me çimento, ndoshta nji ahur i dikurshëm, që u zgjaste sa e gjithë ndërtesa, pra sa gjatësia e dy dhomave me numër 1 e 2, plus gjanësinë e korridorit. Ruzhdi Çoben, Thabit Rusin, Qazim Dervishin, Lec Barbullushin, Ruzhdi Bajën e Refik Bushatin, i futën në dhomën nr. 1, në atë me nr. 2 futën Ernest Përdodën e Xhelë Bacin, kurse në 3-shin Remzi e Xhevat Qukun, Tomë Sheldinë e mue.

Kur u futëm tue përshëndetë në dhomë, vërejtëm se aty menjiherë ra qetësi e plotë. Siç do ta mësojshim ma vonë, nji gja e këtillë ngjiste vetvetiu sa herë që në nji dhomë burgu u futshin të burgosun të rinj. Të burgosunit e dhomës qëndrojshin para jatakëve të tyne, të mbështjellun si mbas rregullit qysh në mëngjes, e të mbështetun për faqe të të katër mureve të dhomës, shikojshin me kureshtje drejt nesh. Nuk ishte e vështirë që ndër ato çaste na t’u lexojshim ndër fytyra keqardhjen e tyne për ne. Lidhun me këtë rast, ma vonë do të na thojshin: “Na patët ba përshtypje, se ishi të rinj”.

Hymja në nji dhomë e do të burgosuni të ri, shënonte nji ngjarje për të burgosunit e saj. Në nji rast të këtillë, zakonisht dhoma do të binte përnjiherë në heshtje, e të burgosunit, ku me sy e ku tue i pëshpëritë shoqishojt si nën za, do të kërkojshin me ditë se kush mund t’ishte i burgosuni o të burgosunit e porsa ardhun. Ka disa rregulla të veta burgu, të kthyeme në traditë. Ndodhte që në nji dhomë i burgosuni i ri, të kishte gjetë kushërinj a të njohun të tij e, në nji rast të tillë, do të ishin pikërisht ata që ma të parët do ta takojshin atë, ta pyetshin shkurtimisht rreth burgosjes së tij, nëse kishte vuejtë gjatë hetimit ose jo, për njerëzit e shtëpisë, nëse kishte pasë kontakt me ta, dhe shumë shpejt, ky informacion të transmetohej mandej gojë me gojë nëpër dhomë, tue shue kështu kureshjen e të gjithëve.

“Rituali” do të vazhdonte me nji tjetër kategori të burgosunish, me ata që mbasi të kishin gjetë lidhjen e tyne me nji prind a të afërm të të burgosunit të porsa ardhun, të shkojshin me i dhanë të njohun atij e pa u zgjatë, si për t’mos e bezdisë ma tepër, të ndaheshin prej tij, tue lanë radhë për të tjerë, e gjithashtu, pasë rezervue të pyetunat e tjera për ma vonë. Në nji dhomë burgu ka edhe të atillë që të burgosunit të ri, t’i shtërngojnë dorën edhe pse pa qenë njohë me të e, as me njerëzit e tij, e si gjithë të tjerët, me atë rast, t’i urojnë shëndet e dalje të shpejtë prej burgut.

Ka mandej nji kategori të vogël të burgosunish, të dobët shpirtërisht, e që të dërmuem prej burgut, sëmundjeve e moshës, apo edhe për tipin që kanë, s’duen të dinë “kush hyn e del aty”, të cilët nuk shohin veç “zi” e, që në vetmi shtyjnë me mundim ditë të nji burgu, që si mbas tyne, s’ka të mbaruem. Aty, veç katundarëve të fushës së Shkodrës, malësorëve të Malcisë së Madhe e të Dukagjinit, përfaqësues me shumicë do të kishin edhe zonat e Mirditës, të Pukës, Tropojës e Lumës. Veç nji pjesë të shokëve me të cilët qeshë futë në këtë dhomë, aty do të gjejsha edhe Ramadan Sokolin, vëlla i shokut tim, Hodo Sokolit, i cili do të më qëndronte afër e do të më orientonte në atë dhomë burgu me ndoshta mbi njiqind vetësh.

Ramadanin e pata gjetë tue lexue “Rilken”, si dhe të angazhuem me mbledhjen e folklorit, punë që e vazhdonte me pasion. Apo s’ishte ai burg nji minierë e florinjtë për t’u eksplorue! Kisha ç’të përfitojsha prej Ramadan Sokolit, me nji dekadë jete ma shumë se unë, me nji numër të pamat librash të lexuem, të përfitojsha prej Firencës, ku ai kishte studjue, prej lidhjeve që ai kishte pasë me elitën e intelektualëve të rij të kohës, ndër ta edhe me Qemal Draçinin, me të cilin kishte qenë intimë, pa mungue që kur të binte fjala për të, të vinte në dukje energjinë, talentin, si dhe vullnetin e karakterin e tij të çelniktë.

Ramadani që në Firence kishte studjue për flaut e kompozicion, me dellin e tij prej artisti, aty në burg, do t’u merrte edhe me pikturë, kurse me gdhendje mbi dru e mbi faqe të alumintash, ai do të prodhonte në miniaturë prej bërthamave të pjeshkëve objekte si “pashmangë”, “shporta” etj., që u nxirrshin përjashta si dhurata burgu për familjarë e të afërm. Po Ramadani do t’u merrte edhe me qëndisi, pra do të punonte edhe në “gjergjef”.

Përmes librave ai merrte e jepte me shoqet e tij të burgosuna, si Drita Kosturi e Terezina Pali, që me dhomë u ndodhshin me hymje prej jashtë – e quejtun “dhoma e grave” – e me të cilat Ramadani do të realizonte korrespondencën e tij, me anë të nji “kodi”, kod që për të nxjerrë p.sh. fjalën “durim”, ai do të vinte me lapës nji pikë të zbehtë, nën ma të parën gërmë “d”, që të kishte faqja e nji libri, për të vazhdue me gërmën “ư”, që vinte mbas saj e kështu me radhë, derisa të dilte e plotë fjala “durim”, për të vijue në këtë mënyrë me të gjitha fjalët që do të kishte nji letër e tij.

Në fund të dhomës tonë të gjatë, kishte nji dalje për në banjo, ku unë me shokë, mbas nji viti e gjysë që s’ishim la, do të hidhshim për herë të parë ujë mbi trupënt tonë të krymtë. Në darkë, nji burrë rreth tridhjetë vjetëve, që ndonëse kishte mbarue për farmaci, por që aty shërbente si sanitar e si mjek, më tërhoqi pa paralajm e në sy të tjerëve llastikun e brekëve, lëshoi dy-tre grushta D.D,T. brenda tyne, dhe u largue tue qeshë, e ba që prej zorit të qeshja edhe unë. D.D.T.-në na e hidhshin për punë morrash. Personi që kreu atë shërbim kishte qenë vetë farmacisti Elez Troshani, të cilin dikur e kisha njohë për fytyrë, por që atë natë, kryet e tij i qethun e nji fes i vumë dosido mbi të, ia kishin tretë gjurmët e pamjes së mirë që kishte pasë, kur kishte qenë i lirë.

Të burgosunit që ne gjetëm aty përgjithësisht ishin të vjetër në moshë, ose të sëmurë, të pa aftë për punë fizike, ndërkohe që pjesa tjetër e të burgosunve, – që edhe përbënte shumicën – u ndodhte e dalun në kampin e punës së Orman-Pojanit, zonë e Korçës, prej kah do t’u kthejshin në burgun e Shkodrës gjatë muajit nandor, kohë kur edhe na do të lëvizshim prej Burgut të Ri, për t’u bashkue me ta në Burgun e Madh.

Kjo dhomë burgu, me dritë e me shumë njerëz të mirë, mbas nji viti gjysë biruce t’errët, do të më jepte shëndet e të më gjallëronte së brendshmi aq shpejt, sa të m’u dukte si t’isha në parajsë. Në nji orë të caktueme të mbramjes kishim leximin e detyruem të gazetës “Zëri i Popullit”, që zakonisht e kryente Andro Petroviç, nji njeri i butë e shumë i sjellshëm, por që fytyrën s’dij pse do ta kishte gjithmonë të pikëllueme. Dy herë në ditë me nga nji orë, na nxirrshin në oborrin e madh që binte mbas ndërtesës, dalje që ne të rinjtë do ta shfrytëzojshim për të luejtë basketboll me porta të pa shtylla futbolli e, të ndamë në dy skuadra, njena që përfaqësonte dhomat 1 e 2, e tjetra 3-shin tonë.

Si mbas rregullores, nji herë në muaj kishim të drejtë me i shkrue letër familjes, me ç’rast do t’ishim të detyruem që mbi zarf të shkruejshim jo pa një farë shqetësimi, si adresë: “Burgu i Anmiqve të Popullit”. Nji herë në pesëmbëdhjetëditësh kishim takim me familjen e, po nji herë në pesëmbëdhjetëditësh merrshim ushqim prej saj, por unë do të merrsha ushqim çdo javë, sepse nji motër e imja, nji herë në dy javë do t’u mbulonte me çarçaf, që të arrinte me më futë ushqime në emën të Bajram Xhemaliut prej Kalasë se Dodës, tue u paraqitë gjoja si nji njeri e tij , me atë rast, edhe të bante takim me të. Takimi nji herë në dy javë me familjen, do t’ishte edhe nji tjetër gja e mirë për mue, mbas nji viti e gjysë izolim. Shumë kënaqësi do të më jepshin ato takime të para me njerëzit e mi ma të afërt, përfshi edhe Simen.

Dhoma e jonë me nr.3 kishte trajtën e nji drejtkëndëshi e, si të thuesh, kryet e vendit në të e kishin zanë – ndonëse afër daljes për në bajë – ma pleqtë, që edhe kishin probleme fizike, sikurse ishin ish-ushtarakët Luigj Mikeli, Hamza Kuçi, Zef Martini, Paulin Prendushi e, mbas tyne do ma të rij, si Teufik Bekteshi- që shpesh vuente prej dhimbjesh të forta klavikule- e në vazhdim Hamid Nurja, Malo Kraja, Malo Cani, Smajl Elezi etj.

Personat e mësipërm, do të ishin ndër ma “ustallarët” – kështu u quejshin në burg mjeshtrit e lojës së taullës, që siç dukej, kishte kenë lojë e preferueme për ushtarakë e nëpunës të kohës së mbretnisë. Pamvarësisht rregullit për t’mos lëvizë prej nji vendi në tjetrin, aty u gjindte mundësia për të lëvizë e luejtë shah, tavull e domino, derisa t’u errtë e kishte rivalitete të atilla, që të justifikojshin interesimin e nji numri të burgosunish të tjerë. Kishte raste që humbësit, për tallje, të mbartshin në shpinë jo vetëm fituesit, po edhe ata spektatorë që kishin ndjekë zhvillimin e lojës së tyne.

Qysh në natën e parë të ardhjes time në këtë burg, më patën vendosë në mes të Ramadan Sokolit e Pjetër Saraçit, vëlla ma i madh i ish-profesorit të historisë, Angjelin Saraçit, që në verë të 1944-shit, bashkë me të rinjtë ballistë të batalionit “Besnik Çano”, pat shkue në Kosovë me luftue për mbrojtjen e tokave shqiptare prej serbëve, dhe kur në momentin që po u nisshin, nji ish nxanës i tij, do ta pyeste si për humor; “Edhe ti profesor ballist”?! e ai nga ana e tij, do t’iu përgjigjte: “Jo, jo, kombëtar”.

Pjetër Saraçi, për të më dhanë kënaqësi mue, qysh të nesërmen do të fillonte të realizonte disa prej atyne “numrave” të tij. Mbasi e pat kuptue se unë kisha zor prej duhanit e pluhnit të tij, ai mezi ç’do të priste që jo vetëm të drejtonte tymin – gjoja si pa dashje – nga ana e ime, por i mbështetun siç do të ishte për jatak, ai do të shkundte pluhnin e cingares mbi gjoksin e tij si mbi nji taull duhani, mbi këmishë që e shoqja atë ditë ia kishte sjellë të lame e të hekurosun, e me atë rast të merrte poza serioze e indiferente, gjoja pa dashtë me ditë për gazin tim, e të të tjerëve aty rrotull. Memorie.al