Ballina Bota Avioni kinez që sfidon Amerikën në qiell, lëshon breshëri dronësh kamikazë

Avioni kinez që sfidon Amerikën në qiell, lëshon breshëri dronësh kamikazë

38
0

Kina po përgatitet të përdorë për herë të parë një aeroplan “dronëmbajtës”, të pajisur me kapacitet të jashtëzakonshëm për të lëshuar deri në 100 dronë vetëvrasës njëherësh. Aeroplani i ri, i quajtur Jiu Tan (që do të thotë “Qiell i Lartë”), është një mjet fluturues pa pilot me rreze të gjatë dhe kapacitet të madh transportues.

Sipas mediave shtetërore kineze, prototipi i katërt i këtij avioni tashmë ka përfunduar montimin strukturor dhe ndodhet në fazën e testimeve, shkruan A2 CNN. Fluturimi i parë është planifikuar për muajin e ardhshëm. Jiu Tan është zhvilluar nga kompania Shaanxi Unmanned Equipment Technology dhe u prezantua për herë të parë në panairin ajror të Zhuhai-t në nëntor.

Me një hapje krahësh prej 25 metrash dhe një autonomi fluturimi prej 12 orësh, ky mjet mund të përshkojë deri në 7000 kilometra dhe të transportojë deri në 6 ton ngarkesë, nga pajisje vëzhgimi deri te municionet.

Ajo që e bën të veçantë këtë mjet është aftësia për të lëshuar dhjetëra dronë njëkohësisht, duke krijuar një “breshëri ajrore” të vështirë për t’u neutralizuar nga sistemet mbrojtëse tradicionale. Përveç dronëve, Jiu Tan mund të mbajë edhe raketa lundruese dhe raketa ajër-ajër me rreze të mesme.

Zhvillimi i këtij avioni vjen në një kohë kur lufta me dronë po ndryshon balancat ushtarake në botë, sidomos pas përdorimit intensiv të tyre në luftën në Ukrainë. Ekspertët e konsiderojnë Jiu Tan si një rival potencial të avionëve amerikanë RQ-4 Global Hawk dhe MQ-9 Reaper, të cilët nuk kanë aftësi për sulme kaq masive.

Ky projekt thekson edhe një herë ambicien e Kinës për të rritur fuqinë e saj ajrore dhe për të sfiduar dominimin ushtarak amerikan në rajonin e saj dhe në botë.