Ballina Politika Kampet e Melonit dhe Ramës në Shqipëri/ 62 për qind e italianeve...

Kampet e Melonit dhe Ramës në Shqipëri/ 62 për qind e italianeve janë kundër

30
0

Nga Alba Kepi

62 % e italianëve është kundër kampeve të emigrantëve në Shqipëri e 67% e italianëve janë kundër politikave ndaj emigracionit ndërmarrë nga qeveria Meloni.

Ky është rezultati i sondazhit të sapo publikuar në mediat italiane realizuar më datat 14-15 maj 2025 nga Instituti mbi analiza ekonomiko-politike IZI.

Rezultati ka analizuar një kampion qytetarësh të zgjedhur sipas gjinisë, moshës, zonës gjeografike, karakteristikave demografike e rezultatit elektoral në zgjedhjet e fundit politike në Itali.

Pyetjes se si i gjykoni zgjedhjen e qeverisë Meloni për ngritjen e kampeve të emigrantëve në Shqipëri 61.8% e italianëve i është përgjigjur – e kotë e 38.2% të vlefshme.

Interesante është se nga 61.8% e italianëve që janë përgjigjur kundër kampeve në Shqipëri, 65% e tyre nuk ka votuar në zgjedhjet e 2022 e 26.2% janë votues të forcave të partive të koalicionit qeverisës.

Ndërsa pyetjes se si i konsideroni politikat e qeverisë mbi menaxhimin e flukseve të emigracionit ilegal, 67% e italianëve i vlerëson negativisht e 33% pozitivisht.

Dhe në këtë pikë një tjetër e dhënë interesante është se 71,5% e atyre që nuk kanë votuar në zgjedhjet e vitit 2002 që sollën fitoren e së djathtës italiane mendojnë se politika ndaj fenomenit emigrues në Itali janë të këqija.

Pra 2 në çdo tre italianë vlerësojnë negativisht punën e qeverisë në këto politika.

Lufta e emigracionit ilegal e pakti i nënshkruar me qeverinë shqiptare janë simbol i qeverisë Meloni dhe në faktorizimin evropian e ndërkombëtar.

Por rezultatet e këtij sondazhi dëshmojnë se ajo ç’ka përcillet si sukses në diplomacinë evropiane vlerësohet negativisht nga qytetarët italianë.