Agjencia e Mbikëqyrjes policore ka arrestuar 3 policë dhe 1 doganier të pikës kufitare “Hani i Hotit” pasi në vitin 2023 lejuan kalimin e një kamioni me 442.084 kilogramë lëndë narkotike “Canabis Sativa”, drejt Malit të Zi.
Tre policët janë identifikuar si Lekë Çekrezi, Fatjon Hamzi dhe Tonin Melaj, ndërsa doganieri Selami Ethemi. Ata ishin nën hetim që prej vitit 2023 nga Prokuroria e Shkodrës dhe akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
NJOFTIMI I AMP:
AMP ekzekuton 4 urdhëra ndalimi për tre punonjës policie dhe një doganier
Në vijim të hetimeve disa mujore mbi procedimin penal të vitit 2023, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor dhe Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka ekzekutuar urdhërat e ndalimit për tre punonjës policie dhe një doganier, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
L. Ç., punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.
F. H., punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.
. M., punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.
S. E., me detyrë Doganier në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.
Urdhërat e ndalimit vijnë pas hetimeve të thelluara me metoda speciale në lidhje me ngjarjen e datës 17/09/2023, ku një kamion me targa shqiptare, pasi ka kryer procedurat e daljes nga Republika e Shqipërisë nëpërmjet Pikës Kufitare “Hani i Hotit”, në kundërshtim me ligjin dhe procedurat standarde, është ndaluar nga policia e Pikës së Kalimit Kufitar “Bozaj”, Mali i Zi, pasi në kamion është gjetur një sasi prej 442.084 kg lëndë narkotike e dyshuar “Canabis Sativa”.