Ballina Europë Qeveria franceze akuzohet për “mbulim të nivelit të lartë të skandalit të...

Qeveria franceze akuzohet për “mbulim të nivelit të lartë të skandalit të ujit të Nestlé”

18
0

Qeveria franceze “në nivelin më të lartë” mbuloi një skandal mbi trajtimin e ujit mineral nga gjiganti i ushqimit Nestle, përfshirë markën ikonike Perrier, tha të hënën një hetim nga dhoma e lartë e parlamentit të Francës.

Në vitet e fundit, konglomerati zviceran i ushqimit dhe pijeve ka qenë nën presion për Perrier dhe markat e tjera, pasi rregulloret e BE-së kufizojnë rreptësisht se cilat trajtime lejohen për çdo produkt të tregtuar si ujë mineral natyral, shkruajnë mediat e huaja.

“Përveç mungesës së transparencës së Nestle Waters, është e rëndësishme të theksohet mungesa e transparencës së shtetit, si ndaj autoriteteve lokale dhe evropiane, ashtu edhe ndaj popullit francez”, tha raporti nga një komision hetimor i Senatit Francez.

Raporti vjen pas një hetimi gjashtëmujor të Senatit që përfshinte më shumë se 70 seanca dëgjimore.

“Kjo fshehje është pjesë e një strategjie të qëllimshme, të adresuar në takimin e parë ndërministror mbi ujërat minerale natyrale më 14 tetor 2021”, citohet të ketë thënë raporti.

“Pothuajse katër vjet më vonë, transparenca ende nuk është arritur”, ka shtuar raporti.

Siç thuhet më tej, raporti tha se gjiganti zviceran i ushqimit Nestlé, i cili e bleu markën në fillim të viteve 1990, kishte përdorur trajtime filtrimi pastrimi që nuk ishin të autorizuara për produktet e etiketuara si “ujë mineral natyral”.

Senatorët thanë se “nivelet më të larta” të qeverisë franceze ishin njoftuar për trajtimet e filtrimit nga vetë Nestlé, por nuk kishin vepruar shpejt ose nuk kishin njoftuar autoritetet ligjore, shkruan The Guardian.

Raporti i senatit theksoi se zyra e presidentit Emmanuel Macron në Elize “e dinte, të paktën që nga viti 2022, se Nestlé kishte mashtruar për vite me radhë”.

Senatorët theksuan se nuk kishte “asnjë rrezik të provuar shëndetësor për konsumatorët”. Por ata thanë se konsumatorët dhe autoritetet lokale ishin mashtruar.