Ballina Europë Sondazhi në Britani të Madhe: Në mesin e të rinjve rritet preferenca...

Sondazhi në Britani të Madhe: Në mesin e të rinjve rritet preferenca e një bote pa internet

0
30

Një anketë e kryer në Britani zbuloi se 46 për qind e të rinjve të moshës 16-21 vjeç preferojnë të jetonin në një botë pa internet.

Sipas asaj që raporton “The Guardian”, një anketë u krye me 1.293 të rinj në një punim të kryer nga “British Standards Institution”. Pjesëmarrësve iu bënë pyetje rreth mendimeve të tyre në lidhje me internetin dhe aktivitetet e tyre online.

Përderisa 46 për qind e të anketuarve thanë se do të preferonin të jetonin në një botë pa internet, gati 70 për qind raportuan se ndihen më keq pasi kanë kaluar kohë në mediat sociale. Gjysma e adoleshentëve të anketuar mbështetën një kufizim që do të kufizonte aksesin e tyre në aplikacione dhe faqe të caktuara pas orës 22:00.

Kurse 27 për qind e pjesëmarrësve theksuan se e kanë ndarë vendndodhjen e tyre me të huaj në internet.

Bëhet e ditur se 25 për qind e adoleshentëve kalojnë katër ose më shumë orë në ditë në mediat sociale dhe 42 për qind pranuan se i kanë gënjyer prindërit dhe kujdestarët e tyre për atë që bëjnë në internet.

Po ashtu 42 për qind e të anketuarve thanë se kanë gënjyer për moshën e tyre në internet, 40 për qind kanë shprehur se kanë një llogari të rreme dhe 27 për qind e tyre kanë thënë se janë paraqitur si një person krejtësisht i ndryshëm në internet.

Sipas sondazhit, 75 për qind e të anketuarve raportuan se filluan të kalonin më shumë kohë në internet me pandeminë e COVID-19, dhe 68 për qind mendojnë se kjo kohë ka ndikuar negativisht në shëndetin e tyre mendor.

Rani Govender, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Kombëtare për Parandalimin e Mizorive ndaj Fëmijëve (NSPCC) me seli në Mbretërinë e Bashkuar, tha se kufizimet digjitale janë të dobishme, por jo të mjaftueshme më vete, dhe theksoi se pa masa shtesë, fëmijët nuk mund të parandalohen nga ekspozimi ndaj përmbajtjeve të dëmshme në internet.