Ballina Ekonomia Të ardhurat në buxhet bien me 3.5% në prill, Qeveria nuk shpenzoi...

Të ardhurat në buxhet bien me 3.5% në prill, Qeveria nuk shpenzoi 630 mln euro për 4-mujorin

17
0

Të ardhura që arkëtohen nga buxheti i shtetit kanë shënuar tendencë rënëse në muajin prill, për herë që nga qershori i vitit 2024. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, në prill u arkëtuan 64 miliardë lekë në buxhet, me një rënie prej 3.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për periudhën janar-prill, të ardhurat arritën në rreth 246.45 miliardë lekë, me një rritje prej 6.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Si gjithmonë këto muajt e fundit, peshën kryesore në rritjen e të ardhurave e mbajnë të punësuarit, përmes kontributeve, si rrjedhojë e rritjes së pagave, kryesisht në administratën publike. (nga 14.4 miliardë lekë që është rritja totale e të ardhurave në buxhet, nga sigurimet u mblodhën rreth 6.3 miliardë lekë më shumë).

Shpenzimet e përgjithshme publike, për katërmujorin 2025, arritën në rreth 207.87 miliardë lekë. Buxheti ka rezultuar në katër muajt e parë të 2025-s, me një suficit prej 38.5 miliardë lekë, ndërkohë që parashikonte të rezultonte me një deficitit prej 25 miliardë lekësh, çka nënkupton se buxheti nuk ka shpenzuar rreth 63 miliardë lekë (rreth 630 milionë euro), të planifikuara për katër muajt e parë të vitit. Vitet e fundit ka gjithnjë një përqendrim të shpenzimeve në muajt e fundit të vitit.

Të ardhurat, peshën kryesore e mbajnë kontributet  

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, Të ardhurat totale, për muajin janar-Prill 2025, arritën në rreth 246.45 miliardë lekë, një realizim në masën 100.3 % të planit të periudhës.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 14.45 miliardë lekë më shumë ose 6.2 % më shumë. Në terma vjetorë, të ardhurat totale për 4 mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 32.6 për qind të planit vjetor.

Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat pa kontributet, për periudhën Janar – Prill 2025, janë në shumën 163.9 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 0.9% më shumë se plani i periudhës. Krahasuar me periudhën Janar–Prill të vitit 2024, janë mbledhur 16.6 miliardë lekë ose 11.3% më shumë.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) për periudhën Janar – Prill 2025 u realizuan në vlerën 72.4 miliardë lekë, 3.5 miliardë lekë ose 5.1% më shumë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Të ardhurat nga TVSH në import, për periudhën Janar – Prill 2025, janë 48.8 miliardë lekë, 1.4 miliardë lekë ose 3% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Të ardhurat nga akciza, për periudhën Janar – Prill 2025, janë realizuar në masën 20 miliardë lekë, 2.3 miliardë lekë ose 12.7% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, si dhe realizim 1.1 miliardë lekë ose 6% më shumë se plani i akcizës për periudhën Janar – Prill 2025.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport, për periudhën Janar – Prill 2025, janë realizuar në vlerën 786 milionë lekë, në masën 83.4 % kundrejt planit të periudhës Janar – Prill 2025.

Të ardhurat nga taksat doganore, për periudhën Janar – Prill 2025, janë arkëtuar në vlerën 2.8 miliardë lekë, 52 milionë lekë ose 1.9% më shumë se Janar – Prilli i vitit 2024, si dhe realizim në masën 89.7% kundrejt planit të periudhës.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën Janar – Prill 2025, u realizuan në masën 91.5 miliardë lekë, 13.1 miliardë lekë ose 16.7% më shumë se Janar – Prill 2024. Krahasuar me planin, të ardhurat e mbledhura janë 3.2 miliardë lekë ose 3.6% më shumë.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizuan në masën 25.5 miliardë lekë, 5.9 miliardë lekë ose 29.9% më shumë se periudha Janar – Prill 2024, dhe me realizim 2.1 miliardë lekë ose 8.9% më shumë se plani i periudhës. Rimbursimet për periudhën Janar – Prill 2025 janë 5.4 miliardë lekë.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 24.5 miliardë lekë.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 27.2 miliardë lekë, 6.2 miliardë lekë ose 29.2% më shumë se periudha Janar – Prill 2024, si dhe 3.5 miliardë lekë ose 14.6% më shumë se plani i periudhës Janar – Prill 2025.

Taksat nacionale, për periudhën Janar – Prill 2025, u realizuan në masën 14.3 miliardë lekë, 1.1 miliardë lekë ose 8.3% më shumë se Janar – Prilli i vitit 2024.
Të ardhurat nga fondet speciale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH për periudhën Janar – Prill 2025, u realizuan në masën 59.3 miliardë lekë, 6.3 miliardë lekë ose 11.9% më shumë se periudha e vitit 2024, si dhe realizim në masën 103.4% të planit të periudhës.

Shpenzimet:
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 4 mujore të vitit 2025, arritën në rreth 207.87 miliardë lekë me një realizim në masën 94.3 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 ky zë ka rezultuar 11.5 për qind më i lartë ose rreth 21.49 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 4 mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 25.2 për qind të planit vjetor.

Shpenzimet korente për periudhën 4 mujore të vitit 2025 rezultuan në rreth 193.02 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 13.1 për qind më i lartë ose rreth 22.4 miliardë lekë më shumë./ Monitor