Ballina Aktualitet Lobistët e PD-së arkëtojnë miliona nga të gjitha anët

Lobistët e PD-së arkëtojnë miliona nga të gjitha anët

29
0

Continental Strategy LLC, kompania e pajtuar nga Partia Demokratike për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përjetojnë një moment të artë në biznesin e tyre. Një investigim i The Guardian ka gjetur se vendet e Amerikës Latine po shpenzojnë dhjetra milionë dollarë për të influencuar Shtëpinë e Bardhë dhe Continental Strategy është një kompanitë kryesore që po përfiton nga ky biznes.

“I ulur pas Rubios në seancën e tij të konfirmimit të Senatit në janar ishte një tjetër lobist i Amerikës Latine i lidhur me Trump, ambasadori kubano-amerikan në pension Carlos Trujillo, i cili u përfol gjerësisht se do të emërohej në një post të nivelit të lartë në administratën e re. Trujillo, i cili shërbeu si ambasador i Trump në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS) me qendër në Uashington dhe më vonë u emërua, por nuk u konfirmua si ndihmës sekretar i shtetit për çështjet e hemisferës perëndimore, së fundmi ka marrë përsipër kombet e Karaibeve të Haitit, Guajanës dhe Republikës Domenikane si klientët e tij, çka koinçidon me udhëtimet e Rubios në këtë rajon,” thuhet në investigim.

Sipas The Guardian firma e Trujillos, Continental Strategy fitoi 3.6 milionë dollarë në tremujorin e parë të 2025 dhe shtoi 50 klientë të rinj që nga fitorja e Trump. Kjo kompani punëson gjithashtu vajzën e shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie ëiles, Katie, dhe ish-shefin e stafit të Rubios në Senat, Alberto Martinez.

“Kontinental thuhet se ishte çelësi për ndërmjetësimin e marrëveshjes prej 23 miliardë dollarësh për një konsorcium të udhëhequr nga BlackRock, i cili përfshinte klientin e tij, Mediterranean Shipping Company për të hequr kontrollin nga Kina të porteve strategjike në Panama dhe në mbarë globin, të cilin Trump e përshëndeti si një hap drejt “rimarrjes” së kanalit të Panamasë, një prioritet kryesor për administratën e tij,” shkruan më tej the Guardian.

Emri i Continental Strategy u bë i njohur për publikun shqiptar pak ditë para zgjedhjeve, kur Kapitali zbuloi se kompania ishte kontraktuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë për lobim në qeverinë e Shteteve të Bashkuara përmes një kontrate, që paguhet 250 mijë dollarë në muaj dhe që potencialisht mund të shkojë deri në dy vjet.