Banka Amerikane e Investimeve ka blerë 10 për qind të aksioneve të kompanisë turistike Premier Group për një çmim prej 363 mijë eurosh, në përputhje me vlerën e kapitalit. Ligji shqiptar lejon bankat që të blejnë aksione në kompani deri në 10 për qind. Megjithatë transaksioni i njoftuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, është pjesë e një marrëveshje me të gjerë.
Abi Bank do të financojë kompaninë me aksioner kryesor Enver Mehmeti për ndërtimin e hoteleve të rejame një financim prej 16 milionë eurosh. Ndërsa blerja e aksioneve nga ana e bankës është një garanci shtesë për kthimin e kredisë.
Paketa e financimit dhe shitjes së kuotave parashikon dhe garanci të tjera shtesë për bankën, të cilat janë materializuar në statutin e ri të Premier Group. Sipas këtyre ndryshimeve, aksioneri kryesor i kompanisë, Enver Mehmeti nuk ka të drejtë të tjetërsojë kuotat e shoqërisë pa marrë më parë miratimin nga Banka Amerikane e Investimeve.
Ndërkohë marrëveshja parashikon se, zoti Mehmeti apo shoqëritë e kontrolluara prej tij kanë të drejtë të riblejnë 10 për qindëshin e kuotave të shitur tek Abi Bank për të njëjtin çmim plus inflacionin, nëse përmbushen disa kushte si ulja e detyrimeve të tij ndaj bankës poshte nivelit 10 milionë euro dhe përmbushja e kushteve që mbrojnë bankën për financimin e saj.
Premier Group është një kompani që zotërohet nga tre aksionerë. Enver Mehmeti zotëron 70 për qind të aksioneve, Agim Mehmeti ka 20 për qind, ndërsa 10 për qindëshi i mbetur tashmë zotërohet nga Abi Bank.
Por Premier Group është pjesë e një grupi kompanish turistike, që zotërohen nga biznesmeni Enver Mehmeti së bashku me Vas apo Albtours D duke qenë kështu një nga grupet më të mëdha turistike në vend. Paralelisht ky grup zotëron edhe hotele.
Vitin e kaluar Premier Group realizoi një qarkullim prej 4.1 milionë eurosh dhe fitim pas taksave prej 250 mijë eurosh.
Turizmi është një nga fushat me rritjen më të shpejtë të investimeve, por edhe kredisë në vend. Kjo për shkak të rritjes së ndjeshme që po përjeton ky sektor. Banka Amerikane e Investimeve është një nga institucionet financiare që është fokusuar më shumë në kreditimin e këtij sektori, duke qenë financuese e shumë hoteleve në bregdetin shqiptar./ kapital