Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila ndodhet në Ballkanin Perëndimor për vizita zyrtare në Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, ka thënë se do të bisedojë me qeveritë dhe me shoqërinë civile për “rrugën e tyre drejt BE-së”.
Sipas saj, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve është “domosdoshmëri për të lëvizur përpara” në atë drejtim.
“Tani është koha për riangazhim”, ka shkruar Kallas në llogarinë e saj, në platformën X, në internet.
Kryediplomatja e BE-së do ta qëndrojë në Kosovë më 22 dhe 23 maj, në kuadër të turneut rajonal që e ka nisur më 21 maj, me vizitë në Serbi.
Në Beograd, ajo është takuar në natën e së mërkurës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili ka thënë se vendi i tij “mbetet partner i besueshëm për të gjithë që sinqerisht duan bashkëpunim, përparim dhe një të ardhme të përbashkët evropiane”.