Në Kosovë ende nuk është arritur konstituimi i Kuvendit, duke bërë që “ngërçi politik”, të vijojë prej disa javësh. E ftuar në një emision televiziv deputetja e PDK, Blerta Deliu tha se deri në tani nuk ka asnjë sinjal për një ndryshim të situatës, apo mundësi për krijimin e institucioneve në Kosovë
Sipas saj është Albin Kurti ai që po mban peng Kosovën.
“Ende nuk shoh një hapje të rrugës për krijimin e institucioneve të reja të RK. Nga të gjitha zhvillimet që kemi parë edhe nga sjellja e VV nuk bën të mendojmë një arritje të tij”.
Ajo foli edhe për qëndrimin e PDK për gjithë çfarë po ndodh në sferën politikë në Kosovë.
“PDK ka qenë e hapur dhe bashkëpunuese që t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja. Javën e kaluar është zhvilluar një takim i ftuar nga zonja Osmani, me partitë politike në vend, me synimin që të kemi një dalje nga kjo krizë. Por nuk ka asnjë lëvizje. Ne si PDK kemi shkuar edhe në një hap tutje dhe kemi propozuar të kemi një kandidat të ri. Pasi ka një mungesë të votave për ta bërë shumicën e Kuvendit të Kosovës dhe nuk ka një përpjekje nga LVV që t’i hapet rrugë për zgjidhje kësaj situate”, u shpreh ajo.
Gjithashtu komentoi edhe fotot që morën shumë vëmendje, ajo me Bedri Hamzën dhe Albin Kurtin në Mitrovicë.
Ajo tha se takimi i zhvilluar në Mitrovicë, ka qenë për një aktivitet politik dhe se nuk mund të ketë nuanca politike. Deliu shtoi se nga PDK nuk ka asnjë bashkëpunim me Kurtin.
“Për dallim nga deputetë të tjerë, zoti Hamza ka qenë ndër të parët që është kthyer në punën e tij. Dhe vazhdon mandatin e tij në këtë komunë. Takimi me Kurtin ka qenë në një ndeshje sportive në këtë komunë. Dhe ky takim nuk mund të shihet me përmbajtje politike”, tha më tej Deliu.