Ballina Editorial Për paranojën dhe alibinë: “SPAK-u i partisë na e ka fajin”

Për paranojën dhe alibinë: “SPAK-u i partisë na e ka fajin”

23
0

Ndonëse Prokuroria e Posaçme ka futur në burg gjysmën e qeverisë, ndërsa gjysmën tjetër e ka në hetim, sërish ata që pretendojnë pushtetin dhe sulmojnë mëngjes e mbrëmje punën e SPAK-ut nuk arritën as të përfitojnë nga kjo situatë as të fitojnë nga gjendja e krijuar. E para, sepse nuk janë të vërtetë dhe të sinqertë. E dyta, sepse, ndërsa SPAK-u godet pa mëshirë qeverinë, paranoja e tyre ngre skema ‘alternative’, si lufta brenda lllojit me një regjisor suprem etj. të ngjashme.

Është kjo paranojë e hedhur në opinionin publik në rastin e goditjes së fundit në Durrës nga Berisha, e cila po përhapet me shpejtësi edhe nga taborret e tij mediatik dhe më gjerë. Pra, paranoja e radhës thotë se pse SPAK goditi pas zgjedhjeve dhe jo para tyre.
Pra, këta që e inkriminojnë dhe kriminalizojnë punën e Prokurorisë së Posaçme, i kërkojnë asaj llogari se pse nuk i solli ata në pushtet, por lejoi, sipas tyre, bandat të mbledhin vota për Edi Ramën.
Në fakt, si çdo paranojë, edhe kjo e fundit ka disa ngërçe logjike, sipas të cilave jo vetëm që nuk është e vërtetë, por koordinimi i një operacioni kaq të madh dhe kaq të gjerë shkon përtej zhvillimeve lokale, siç janë zgjedhjet në Shqipëri.

Së pari, ky është një hetim disavjeçar (vjet, për shembull, u kapën 3 milionë euro) dhe i koordinuar me Prokurorinë Italiane, pas kërkesat për masat e sigurimit (arrest me burg) duhet të shkojnë në mënyrë të sinkronizuar me të dy palët që të mos dekonspirohet hetimi. Pasi prokuroritë e dy vendeve dakordësojnë datën e çuarjes së kërkesave në gjykatë, më pas ua çojnë gjykatave respektive, të cilat marrin kohën e tyre për të studiuar dosjet dhe për të autorizuar masat e kërkuara. Mos të harrojmë se është një dosje voluminoze që përfshin, së paku, 52 persona. Një gjë e tillë është lehtësisht e kuptueshme se kërkesat e Prokurorisë së Posaçme janë çuar në Gjykatë përpara datës së zgjedhjeve.
Së dyti, ky është një hetim i nisur një vit më parë dhe nuk ka lidhje me zhvillimet momentale të luftës politike në Shqipëri. Pra, mund të shërbejë si alibi politike, por kur e bëjnë edhe njerëz serioz që njohin procedurat dhe ligjet, atëherë duket si një dashakeqësi për t’i shërbyer eprorit dhe duke flakur tej profesionalizmin dhe interesin publik.
Së treti, të besosh se Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar urdhërat e arrestit pas zgjedhjeve për të favorizuar pushtetin, edhe mund të besohet nga militantët e verbër, por të përziesh në këtë mesele edhe prokurorinë italiane, për shkak të koordinimit mes tyre, kjo pastaj është e tepërt dhe duhet shumë shpëlarje mediatike dhe mendore për të qenë e besueshme. Prokuroria italiane nuk do t’ia dijë për zgjedhjet në Shqipëri, sepse ajo shikon interesin e hetimeve.
Dhe për t’i shkuar “paranojës” deri në fund, vlen pyetja: grupi i goditur nga SPAK dhe Prokuroria Italiane kanë lidhje vetëm majtas apo brenda tyre la elemente me lidhje edhe nga e supozuara opozitë shqiptare? Këto tonelata droge që kalojnë nga Durrësi janë vetëm në këtë periudhë apo edhe më herët?

Si përfundim, ata që i kërkojnë SPAK-ut llogari për humbjen e zgjedhjeve, duke krijuar përditë alibi të reja, si rasti i fundit me goditjen e një grupi të madh kriminal në Durrës, do ta kishin më të lehtë përgjigjen e problemit të tyre nëse do të kujtonin atë që Servantesi shkruan te “Don Kishoti”: “Sanço, bën mirë t’i hedhësh ndonjë sy edhe vetes!”