Kostandin Kristoforidhi mbetet si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të Lëvizjes Kombëtare të shek. XIX. Ai luajti rolin më të rëndësishëm gjatë asaj periudhe atë të lëvrimit të gjuhës shqipe. Kristoforidhi ishte lëvrues dhe studiues i gjuhës shqipe, veprimtar i Rilindjes Kombëtare në fushën e arsimit dhe të kulturës. Veprimtaria e tij e ngjeshur në rrafshin e gjuhësisë dha kontribut të dallueshëm në zhvillimin e kulturës dhe të arsimit në Shqipëri. Në këtë optikë që i jepte përparësi rolit të gjuhës amtare në zgjimin kombëtar, Kristoforidhi u angazhua gjithashtu edhe në radhët e lëvizjes kulturore, politike dhe shoqërore të Rilindjes.
I qëndroi bindjes së tij lidhur me rëndësinë e kultivimit të gjuhës shqipe dhe përparimit të arsimit në drejtim të shtetformimit. Kryevepra e gjuhëtarit Kristoforidhi është “Fjalori i Gjuhës Shqipe”, një gurrë e njëmendtë e shqipes me rreth njëzetmijë fjalë dhe kuptime fjalësh. Qe autor i prozës “Gjahu i malësorëve”, dorëshkrimi i së cilës gjendet në Arkivin Qendror i Shtetit dhe i është nënshtruar restaurimit. Me përkthimet e tij ka dhënë ndihmesë vendimtare për themelimin e një gjuhe letrare shqipe, veçanërisht me përkthimin e Dhiatës së Re. Vdiq më 7 mars 1895.
Më 1857 shkoi në Stamboll dhe hartoi një Memorandum për gjuhën shqipe për të treguar nevojën e një pune të re me përkthimet shqip. Qëndroi në Maltë deri më 1860 në një seminar protestant, ku ndërkohë përfundoi përkthimin e Dhiatës së Re toskërisht e gegërisht. Në punimin Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta (1860) paraqiti disa nga idetë e rilindësve për njësinë e Shqipërisë autonome, për lashtësinë e virtytet e Shqiptarëve, si edhe për gjendjen e arsimit e të dialekteve të shqipes Në Izmir, u zbulua se kishte “pranuar me vullnet besimin protestant … para se të kishte takuar ndonjë misionar ose të kishte biseduar me ndonjë të krishterë ungjillore”.
Shoqëria Biblike porsa po interesohej për Shqipërinë dhe ishte në kërkim të një përkthyesi. E fitoi këtë vend pune dhe më pas u regjistrua, më 1 mars ndoqi për katër muaj kurse në “Robert College” në lagjen Babek të Stambollit. Më tej iu ofrua që të vijonte studimet në kolegjin e Shoqërisë Biblike në Maltë (fund korriku 1857-1860), ku përfundoi përkthimin e Dhjatës së Re në të dy dialektet e shqipes. Dorëshkrimet e tij u dërguan në Londër më 15 mars 1860, por nga Londra nuk erdhi ndonjë përgjigje inkurajuese.
U vendos në Tunis ku u martua dhe dha mësim në një shkollë greke nga 1861 deri më 1865. Në fund të majit 1865 u kthye në Stamboll me përkthimin e kryer të Dhiatës së Re në gegërishte. Aleksandër Tomson i Shoqërisë Biblike përmes një njohtësie me një riosh shkodran të shkolluar, Nikollë Serreqin, i cili me të shkuar në Stamboll e ndihmoi Kristoforidhin me redaktimin dhe sugjeron alfabetin latin me të cilin qe shkruar gegërishtja në Shkodër si traditë e autorëve të vjetër. Në nëntor të 1869 u zgjodh anëtar i Komisionit për Alfabetin e Shqipes. Qëndroi në Stamboll deri nga marsi i 1870, ku ishte i angazhuar me përkthime dhe botimin e tyre. Më 1870 kreu një udhëtim të gjatë rreth e përqark Shqipërisë dhe vitet në vijim i çoi mes Stambollit, Shqipërisë dhe Tunizit, ku jetonte familja e tij.
Prej vitit 1874 deri më 1878 pati një ftohje në marrëdhëniet mes tij dhe Shoqërisë Biblike, pasi dyshohej që nuk besonte sipas qasjes protestante nga një keqkuptim që kishte pasur në Maltë. Humbi punën dhe jetoi në mjerim sa në Shqipëri, sa në Tuniz. Me ndikimin e Alexander Thomson të degës së Stambollit u bë e mundur që të vazhdonte punën me Shoqërinë Biblike duke përkthyer e botuar, kështu që u zhvendos me këtë shkak në Stamboll familjarisht. Në kryeqytetin osman mbante kontakte me figurat kulturore shqiptare, qe mik i Jani Vretos. U përpoq të ishte politikisht aktiv dhe me njohjet e tij në Shoqërinë Biblike ti jepte zë kërkesave shqiptare për autonomi. Më 1884 u kthye në Shqipëri dhe i ndërpreu marrëdhëniet me Shoqërinë Biblike njëherë e përgjithmonë. U përpoq të hapte një shkollë shqipe në Tiranë, por qe e pamundur duke qenë se autoritetet osmane nuk e lejonin këtë gjë prej ndodhive të pasLidhjes së Prizrenit. Më 1888 u kthye në Elbasan ku punoi si gjyqtar, punë të cilën e ushtroi deri kur ndërroi jetë, më 1895 te shtëpia e Taq Budës. U varros mbrapa absidës kryesore të kishën Shën Mërisë.
Në Maltë përpilon dorëshkrimin “Shënime mbi Shqipërinë”, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta më 1860. I pajtuar prej Shoqërisë Biblike, Biblës përktheu Besëlidhjen e Re, e cila u botua në Stamboll; Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve më 1866 në variantin gegërisht me shkronja latine dhe më 1879 në variantin toskërisht me shkronja greke. Gjithashtu përktheu dhe iu botuan libra të ndryshëm të Besëlidhjes së Vjetër. Mes dy botimeve përktheu dhe iu botuan Psalmet (1868 toskërisht Psalltiri, 1869 gegërisht Psalteri), Alfavitarin shqip. (gegërisht 1866 & 1872, toskërisht 1872). Më 1870 është botuar “Historia e shenjtësë shkronjë”/Istoria e shkronjësë shënjtëruarë për djemtë, një përmbledhje e thjeshtuar dhe pjesë nga Dhiata e Vjetër, e cila merr rëndësi për informacionin në gjuhën shqipe për Biblën si tekst, autorësinë, historikun e librave të Biblës dhe veprimtarinë e Shoqërisë Biblike. Nga duart e tij dolën disa përkthime dhe ai vetë, me trastën e librave në krahë, merrej me shitjen e përkthimeve dhe të abetareve të veta.
“Të-bërëtë dhe të dalët” (toskërisht 1880), “Nomi i dytë” (toskërisht 1882) “Fjalët e urta të Solomonit dhe Vivla e Isaisë” (toskërisht 1884). “Systema diellore dhe Jetëshkronja e njerëzvet të ndriçim”, shkruar më 1885. Ka lënë dorëshkrim “Kriesa”, “Të dalët gegërisht”, si edhe disa shkrime të tjera që nuk janë gjetur. Më 1882 boton në Stamboll me licencë prej Ministrisë së Arsimit të Perandorisë Osmane një gramatikë shqipe në dialektin toskë (Grammatiki tis alvanikis glossis). Pas vdekjes të së shoqes një vit pas vdekjes së tij, dorëshkrimet, fjalori dhe çdo gjë që kishte lidhje me rilindasin mbetën te shtëpia e dhëndrit, Dhimitër Bibasë, i shoqi i Kleopatrës. Vepra themelore e Kristoforidhit, fryt i një pune njëzetvjeçare, është “Fjalori i gjuhës shqipe” me 11.675 leksema i përpiluar në toskërishte me alfabet të mbështetur në shkronja greke dhe i botuar më 1904 në Athinë, botuar në Tiranë më 1961. Në të janë përjashtuar shumica e huazimeve, veçanërisht orientalizmat dhe greqizmat dhe bëhen përpjekje për të shpjeguar etimologjinë e fjalëve. Kristoforidhi gjithashtu ka lënë tregimin e parë prozaik origjinal në gjuhën shqipe e njëkohësisht tregimin e parë për fëmijë, “Gjahu i Malësorëvet” (Hieja e Tomorrit) në të dy kryedialektet. Shkruar më 1884 dhe botuar për herë të parë më 1902 nga “Albania” e Konicës në Londër./ora