Një incident shqetësues ndodhi në Crab Island, Florida, ku një grup prej të paktën 18 ushtarësh të njësisë elitare amerikane Army Rangers krijoi panik mes pushuesve, pasi qëlluan me fishekë manovër në afërsi të turmave në bregdet.
Skenat u filmuan dhe u publikuan në rrjetet sociale, ku ushtarët shfaqeshin të veshur me uniforma dhe bluza që mbanin mbishkrimin “Army Ranger”.
Pushuesit u përfshinë nga frika dhe konfuzioni, ndërsa zhurmat e të shtënave u dëgjuan njëra pas tjetrës.
Në një nga videot e shpërndara, dëgjohet një grua duke pyetur me alarm “a janë të vërteta këto?”.
Ndërkohë, pasagjerët në një varkë turistike të drejtuar nga kapiteni Michael Ingram u hodhën në ujë për të kërkuar strehim.
“M’u ndal zemra, mendova se dikush ishte qëlluar,” u shpreh Ingram, duke e konsideruar ngjarjen të papërgjegjshme, sidomos në një vend ku masakrat e armatosura janë realitet i dhimbshëm.
Zyra e Sherifit të Okaloosa County njoftoi se kishte marrë të paktën dy telefonata për të shtëna pranë zonës.
Incidenti ndodhi rreth pesë milje larg Festivalit vjetor “Billy Bowlegs Pirate” në Fort Walton Beach, ku tradicionalisht Army Rangers marrin pjesë në një betejë të simuluar me fishekë manovër.
Megjithatë, organizatorët e festivalit mohuan çdo lidhje me ngjarjen, duke theksuar se ajo ndodhi jashtë zonës së miratuar për aktivitetet e festivalit.
Zyrtarët vendorë sqaruan se të shtënat në Crab Island nuk ishin të planifikuara dhe nuk ishin autorizuar nga asnjë institucion.
Ushtria Amerikane ka hapur një hetim të plotë lidhur me rastin. Zëdhënësja Jennifer S. Gunn deklaroi se 18 ushtarët janë pezulluar përkohësisht nga detyrat si instruktorë në Camp Rudder, Florida, deri në përfundimin e hetimeve.