Ballina Bota Aeroplanë, helikopterë, tanke dhe paradë ushtarake – detaje rreth ditëlindjes së Trumpit,...

Aeroplanë, helikopterë, tanke dhe paradë ushtarake – detaje rreth ditëlindjes së Trumpit, amerikanëve do t’u kushtojë rreth 45 milionë dollarë

22
0

Ushtria amerikane ka filluar ngarkimin e tankeve që do të shfaqen muajin e ardhshëm në rrugët e Uashingtonit, në kuadër të festimeve të 250-vjetorit të themelimit të ushtrisë amerikane.

Bëhet fjalë për një ngjarje madhështore që përfshin qindra mjete dhe avionë ushtarakë si dhe mijëra ushtarë, dhe data nuk është përzgjedhur rastësisht – 14 qershori është ditëlindja e presidentit Donald Trump.

Fillimisht i planifikuar si festival, aktiviteti është zgjeruar ndjeshëm gjatë viteve të fundit dhe përfshin një paradë ushtarake, të cilën Trump nuk arriti ta realizonte gjatë mandatit të tij të parë. Tani dëshira e tij po bëhet realitet.

Parada e tankeve – 60 ton çelik në zemër të kryeqytetit

Ushtria po transporton aktualisht 28 tanke M1 Abrams nga baza Fort Cavazos në Teksas. Këto tanke peshojnë mbi 60 ton dhe do të udhëtojnë me tren për nëntë ditë drejt Marylandit, ku do të ngarkohen në kamionë dhe do të dërgohen në Memorialin e Linkolnit, ku do të qëndrojnë para nisjes së paradës.

Në ditën e paradës, tanket do të ecin së bashku me 28 mjete të blinduara Bradley, 28 mjete Stryker, 4 obusë vetëlëvizës M-109 Paladin dhe artileri të tjera të tërhequra përgjatë një itinerari që kalon pranë Shtëpisë së Bardhë. Për të mbrojtur sipërfaqet e asfaltit, ushtria do të vendosë pllaka metalike në kthesa, do të rindërtojë disa pjesë të asfaltit dhe do të shtojë mbulesa gome mbi zinxhirët e tankeve.

Mbi 6700 ushtarë nga e gjithë Amerika

Në Uashington do të mbërrijnë mbi 6700 pjesëtarë të ushtrisë, të cilët nga data 11 deri më 15 qershor do të flenë në krevate kampi në dy ndërtesa federale dhe do të konsumojnë ushqimet ushtarake MRE për mëngjes dhe drekë. Për darkë do të kenë një vakt të ngrohtë, si dhe do të marrin 69 dollarë mëditje në ditë.

Parada do të jetë e organizuar kronologjikisht, me njësi të veshura me uniforma autentike nga çdo luftë e madhe amerikane – nga Lufta Revolucionare deri tek konfliktet e sotme. Çdo njësi historike do të ketë nga 60 ushtarë me kostume, të cilët do të pasohen nga 400 ushtarë modernë nga e njëjta bazë, shkruan reuters.

Disa pjesëmarrës nuk do të jenë fare në tokë. Kolonelja Anne McClain, astronaute e ushtrisë amerikane që aktualisht ndodhet në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, gjithashtu do të marrë pjesë në program.

Në fund të paradës, skuadra parashutiste “Golden Knights” do të hidhet me parashutë mbi Shtëpinë e Bardhë dhe do t’i dorëzojë flamurin e palosur presidentit Trump. Në këtë rast, 250 rekrutë të rinj do të japin betimin, të cilin do t’ua marrë personalisht presidenti Trump.

Mbi 50 aeroplanë dhe helikopterë nga të gjitha periudhat historike amerikane

Gjatë paradës mbi 50 aeroplanë dhe helikopterë do të fluturojnë mbi qytet në sinkronizim me njësite tokësore që përfaqësojnë luftëra të ndryshme.

Kur të kalojë para Trumpit një njësi me uniforma të Luftës së Dytë Botërore, sipër do të fluturojë një avion luftarak P-51 Mustang dhe një bombardues B-25 Mitchell. Më vonë do të shfaqen në qiell helikopterët Huey, Cobra, Apache dhe Chinook, që përfaqësojnë konfliktet moderne.

Hapësira ajrore mbi Uashington vazhdon të jetë një temë e ndjeshme pas përplasjes në janar të një helikopteri ushtarak Black Hawk me një avion pasagjerësh, ku humbën jetën 67 persona.

Ushtria theksoi se ka bashkëpunuar ngushtësisht me Administratën Federale të Aviacionit (FAA) për përcaktimin e itinerarit të fluturimeve. Avionët do të nisen nga baza ajrore Andrews dhe do të fluturojnë drejt Capitolit. Trafiku ajror mbi Uashington do të mbyllet përkohësisht gjatë paradës ajrore.

Kostoja totale: 25 deri në 45 milionë dollarë

Festimet që zgjasin gjatë gjithë ditës përfshijnë gjithashtu koncerte, fishekzjarrë, paraqitje të lojtarëve të NFL, gara fitnesi dhe ekspozita ushtarake përgjatë National Mall.

Vlerësohet se ngjarja mund të tërheqë deri në 200 mijë vizitorë, dhe kostoja e organizimit do të jetë ndërmjet 25 dhe 45 milionë dollarëve, sipas vlerësimeve të ushtrisë amerikane.