Ballina Kosovë Agjencia e Statistikave të Kosovës publikon shifrat: Shkalla e papunësisë shkon në...

Agjencia e Statistikave të Kosovës publikon shifrat: Shkalla e papunësisë shkon në 10.9%

0
12

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar rezultatet e anketës së fuqisë punëtore për tremujorin e katërt 2024. Sipas këtij publikimi, shkalla e papunësisë në Kosovë është 10,9%, një rritje prej 0.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha në tregun punës, e karakterizuar nga një shkallë e lartë e papunësisë, ekonomia joformale e konsiderueshme dhe pabarazia në politikat dhe praktikat e punës.

Ndërkohë, shifrat e punësimit në Kosovë vazhdojnë të jenë shqetësuese, me shifrat që tregojnë ende një shkallë të lartë të papunësisë dhe një pabarazi gjinore të theksuar.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin e fundit, ka treguar se në për tremujorin e katërt të vitit 2024, shkalla papunësisë në Kosovë ishte 10.9%.

Sipas të dhënave të publikuara, shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë është 10.9%, që paraqet një rritje të lehtë prej 0.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (TM 4 2023).

Kjo rritje vjen në një kohë kur tregu i punës po përballet me sfida të shumta, përfshirë migrimin, transformimet ekonomike dhe sfidat strukturore në sektorin privat

Popullsia në moshë pune (15 vjeç e lart) arrin në 1,074,704 persona, ndërsa:

Të punësuar: 417,175 persona (- 27,011 krahasuar me TM 4 2023)

Të papunë: 51,128 persona (- 1,951)

Persona aktivë: 468,303 persona (- 28,962).

Struktura e popullsisë në moshë pune

Popullsia në moshë pune (15 vjeç e lart) në Kosovë në tremujorin e katërt 2024 ka arritur në 1,074,704 persona. Kjo shifër përbën rreth dy të tretat e përgjithshme të popullsisë së vendit. Nga kjo kategori:

Persona ekonomikisht aktivë ishin 468,303, që është një rënie prej 28,962 personash krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2023.

Persona joaktivë ishin 606,401, që paraqet gjithashtu një rënie domethënëse prej 71,170 personash, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Punësimi dhe papunësia në detaje

Numri i të punëve ishte 417,175, një rënie prej 27,011 personash nga tremujori i katërt 2023.

Numri i të papunëve arriti në 51,128, një rënie modeste prej 1,951 personash.

Përkundër kësaj rënieje në numra absolutë, shkalla e papunësisë është rritur lehtë për shkak të ndryshimeve në numrin total të personave aktivë dhe faktorëve të tjerë demografikë e ekonomikë.

Krahasimi TM4 2024 / TM4 2023):

Treguesi TM4 2024 TM4 2023
Shkalla e punësimit 38.8% +1.0%
Shkalla e papunësisë 10.9% +0.2%
Shkalla e papunësisë te të rinjtë (15–24 vjeç) 18.4% -0.6%
Shkalla e joaktivitetit 56.4% -1.3%
Punësimi dhe joaktiviteti sipas gjinisë

Të dhënat theksojnë ende pabarazi të theksuar gjinore në tregun e punës:

Meshkujt e punësuar përbënin 55.8% të popullsisë aktive mashkullore, që është 1.0% më shumë se në TM4 2023.

Femrat e punësuara përbënin vetëm 21.8%, por kjo përfaqëson një rritje modeste prej 0.9%.

Ndërkohë, shkalla e joaktivitetit tek femrat mbetet shumë e lartë, në 73.2%, ndërsa për meshkujt është 39.6%. Kjo tregon për sfida të thella strukturore dhe sociale që kufizojnë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, si mungesa e kushteve për kujdes ndaj fëmijëve, normat tradicionale gjinore dhe qasja e kufizuar në mundësi ekonomike.

Sektorët ekonomikë me punësimin më të lartë

Sipas rezultateve të AFP-së, sektorët me përqindjen më të lartë të të punësuarve janë:

Tregtia – 19.0%
Ndërtimtaria – 12.9%
Prodhimi – 10.1%
Arsimi – 8.2%
Administrata publike dhe mbrojtja – 8.1%
Femrat janë më së shumti të përfshira në sektorët e:

– Tregtisë, arsimit dhe kujdesit shëndetësor (55.8% e femrave të punësuara)

Meshkujt dominojnë në sektorët e:

– Tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit (47.1% e meshkujve të punësuar)

Të dhënat e fundit e tremujorit të katërt 2024 ofrojnë një pamje të gjerë mbi situatën e tregut të punës në Kosovë, duke theksuar:

Rritjen e lehtë të papunësisë, megjithëse ka rënie në numrin absolut të të papunësuarve.

Përmirësimin e shkallës së punësimit, veçanërisht te të rinjtë dhe gratë.

Përmirësimin e ndjeshëm të shkallës së joaktivitetit, që mbetet megjithatë shqetësuese, veçanërisht për femrat.

Kosova ka një popullsi të re, me një moshë mesatare rreth 35 vjeçe.

Numri i të rinjve nga mosha 15 deri në 24 vjeç, sipas regjistrimit të popullsisë të mbajtur vitin e kaluar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), është mbi 256 mijë.

Por, kjo kategori është më e prekura nga papunësia.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, shkalla e papunësisë te të rinjtë (15-24 vjeç), ishte 21.2%, ose 5.0% më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kur ishte 16.2%.

Por, një karakteristikë tjetër shqetësuese është niveli i lartë i të rinjve jashtë punës.

Sipas një raporti të Institutit GAP, “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore jo-aktive”, publikuar më 30 prill 2025, rreth 30% ose mbi 78 mijë të rinj të kësaj moshe nuk janë duke ndjekur as arsim, as punësim dhe as trajnim.

Kjo shifër, sipas Institutit GAP, është dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian me mbi 20% dhe më e larta në Ballkanin Perëndimor./ Monitor