Ballina Kulturë Festivali ndërkombëtar “Gegnisht” – Vlerësime për poezinë, prozën, përkthimin dhe esenë më...

Festivali ndërkombëtar “Gegnisht” – Vlerësime për poezinë, prozën, përkthimin dhe esenë më të mirë

27
0

Mbrëmjen e së shtunës, në oborrin e një prej banesave karakteristike të Shkodrës – pikërisht në shtëpinë e një prej personaliteteve të letrave shqipe, Sami Repishti – do të zhvillohet edicioni i katërt i festivalit të krijimtarisë letrare “Gegnisht”.

Ky event, që po shndërrohet në një traditë kulturore të qytetit, mbledh bashkë poetë, prozatorë, përkthyes dhe studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Organizatorët thonë se synimet kryesore të këtij edicioni janë zgjerimi i pjesëmarrjes dhe ngritja e standardit të krijimtarisë në gegnisht.

Kjo frymë gege që neve na bashkon është ajo çfarë mendojmë për të arritur në një të ardhme, një letërsi e cila ishte e fikur dhe tashmë është ndezur, si një flakë e vogël që do vazhdojë dhe të hapet në formën e rrathëve. Nga ana tjetër, ne kemi edhe toskë, të cilët me dëshirën më të madhe kanë marrë pjesë në këtë event për të provuar veten edhe me gegnishten,” thotë Denata Rroji, organizatore e festivalit letrar “Gegnisht”.

“Gegnisht” është kthyer në një platformë të rëndësishme për promovimin dhe fuqizimin e letërsisë gege, duke sjellë në vëmendje figura të shquara të kulturës shqiptare dhe duke nxitur krijimtarinë e re në këtë dialekt të pasur.

Synimi i gegnishtes, pra, edhe i forumit tonë dhe i festivaleve apo aktiviteteve nuk është thjesht të mbetet tek territori i Gegërisë, por të jetë një urë komunikimi me gjithë pjesët e tjera shqiptare, sepse letërsia është shtëpia jonë e madhe,” shprehet organizatori Kastriot Kruja.

Përveç këtyre aktiviteteve, që janë krejt me bazë vullnetare, duhet të futet edhe në hullitë zyrtare. Në shkolla fëmijët duhet të mësojnë gegnishten në mënyrë që ata të arrijnë të komunikojnë me Fishtën, me Mjedën dhe me variante të veçanta të Naim Frashërit,” tregon organizatori Ndriçim Mlika.

Gjatë festivalit do të ndahen çmimet letrare: “Arshi Pipa” për esenë më të mirë, “Ndre Mjeda” për poezinë, “Gjon Shllaku” për përkthimin, “Ernest Koliqi” për prozën më të mirë, si dhe çmimi “Sami Repishti”, që është edhe një nga risitë e këtij edicioni./rtsh