Ballina Aktualitet Investigimi/ “Ekspozita Building”, kulla që ngrin në zemër të Tiranës, ana e...

Investigimi/ “Ekspozita Building”, kulla që ngrin në zemër të Tiranës, ana e errët e financimit!

37
0

Nga Eraldo Harlicaj 

Në kryqëzimin e Bulevardit “Gjergj Fishta” me Rrugën “Nikolla Jorga”, aty ku qyteti i Tiranës duket sikur lëviz më shpejt se kudo tjetër, qëndron e ngrirë një ndërtesë që nuk përputhet me ritmin e betonit përreth.

Një nga projektet më ambicioze të ndërtimit në kryeqytet, “Ekspozita Building”, ka mbetur në mes të punimeve, ndërsa kantieri ngjan i braktisur dhe pa shenja të qarta aktiviteti ndërtimor.

Në vitin 2019, qeveria shqiptare dha lejen e zhvillimit për këtë projekt. Ishte vetë Kryeministri Edi Rama që, në cilësinë e kreut të Këshillit Kombëtar të Territorit, i dha dritën jeshile ndërtimit. Bashkë me të, firmën e hodhën edhe ministrja Belinda Balluku dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Leja iu dha kompanisë “Victoria Construction”, në pronësi të Luan Matës.

Zhvillues i projektit është po kompania “Victoria Construction” dhe pavarësisht se ndërtimet nisën me vrull, sot gjithçka ka ngrirë dhe ky ngërç duket se lidhet ngushtë me profilin e djalit të zotëruesit të kompanisë, Ervin Matës.

Ky i fundit është shpallur në kërkim nga SPAK që prej nëntorit 2023, për përfshirje në trafik ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine në Europë. Prokuroria e Posaçme dyshon se paratë e trafikut janë përdorur për të financuar projekte ndërtimore në Tiranë, një mënyrë klasike për pastrim parash.

Dokumentet që “shteg.org” ka siguruar, zbulojnë se pas këtij projekti fshihet një financim shumë më kompleks nga sa është paraqitur publikisht ndërkohë që gjatë viteve 2023-2024, ndërtimi dhe tregu i pasurive të patundshme mbajtën gjysmën e barrës së rritjes ekonomike, duke prodhuar 3.72 miliardë euro – ose 17.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 21.32 miliardë euro në total.

Sipas INSTAT volumi i lejeve të ndërtimit të dhëna në 12 vitet e fundit ka arritur në 12.3 milionë metra katrorë, nga të cilat 75% janë përqendruar vetëm në qarkun e Tiranës. Pas vitit 2017, ndërtimi në Tiranë ka përjetuar një bum të vërtetë: sipërfaqja e dhënë për leje është dyfishuar dhe trefishuar në vitet 2022-2023. Një shpërthim i pazakontë që e tejkalon kërkesën reale të tregut dhe ritmet natyrale të rritjes së popullsisë.

Ekspertët mendojnë se ky lulëzim i ndërtimeve është më shumë një reflektim i qarkullimit të parave in-formale, sesa një treg të shëndetshëm apo të orientuar nga nevojat reale të banorëve.

Braktisja ka zë: është zëri i skelave të zbrazëta dhe tullave të ekspozuara në zemër të kryeqytetit.

Në hyrje të kantierit sheh çdo ditë makina të shumta të parkuara. Biznesi i parkimit funksionon mirë në këtë nyje të ngarkuar të Unazës në Tiranë. Brenda tij është ndërtuar edhe një lavash modern, dhe janë të vetmet struktura të përfunduara në këtë hapësirë. Punëtorët mungojnë. Makineritë janë të heshtura. Kulla 24-katëshe, e planifikuar si pjesë e zhvillimit të zonës, është ndalur në gjysmë. Brenda ndërtesës, një tabelë që lajmëron “zbritje çmimesh” qëndron si një sarkazëm e zbrazët në një kantier të ngrirë.

Kjo ndërtesë qëndron mbi truallin e ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”, një nga zonat më të lakmuara dhe më të diskutueshme për zhvillim urban në Tiranë. Vetëm pozicioni i saj pranë Unazës dhe në qendër të qytetit e bëjnë atë një pasuri të rrallë për çdo investitor.

Leja për këtë projekt ambicioz u dha më 8 nëntor 2019. Ishte vetë Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit, që i dha dritën jeshile. Miratimi mban gjithashtu dhe firmën e ministres Belinda Balluku dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Kompania “Victoria Construction”, e drejtuar nga biznesmeni Luan Mata, u bë përfituesja e lejes për ndërtimin e një godine me 24 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokësore, mbi një sipërfaqe trualli prej 3,605 m² dhe një volum ndërtimi mbi 8,000 m².

Për të siguruar miratimin e lejes zhvillmore ka paraqitur një projekt prej 12 faqesh. Studioja e italianit Mario Cucinella në bashkëpunim me EKOPLAN shpk janë kontraktuar nga Luan Mata për të punuar maketin e prezantuar, që rezultoi si projekt fitues.

Megjithëse zyrtarisht kompania nuk kishte në rekordet e saj asnjë projekt të ngjashëm ndërtimi, ajo u shpall fituese dhe në dokumentacionin zyrtar të paraqitur për marrjen e lejes, projekti prezantohej si një kontribut estetik e funksional për qytetin.

“Ky projekt pretendon të vijë si një aset shtesë në ‘skyline’ e Tiranës, duke ofruar pamje unike dhe klimë ftuese ‘ndjellëse’ pranë hapësirave të tij për publikun, banorët dhe vizitorët.”

Dokumentet që “shteg.org” ka siguruar zbulojnë se pas këtij projekti fshihet një financim shumë më kompleks nga sa është paraqitur publikisht.

Sipas bilanceve të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), kompania “Marketing Distribution” në pronësi të Vilma Nushit, ka investuar në këtë projekt përpara se leja e ndërtimit të jepej zyrtarisht.

Në vitin 2018, “Marketing Distribution” ka derdhur 116 milionë lekë të rinj (rreth 1.16 miliardë lekë të vjetër) në “Victoria Construction”, një vit përpara se Këshilli Kombëtar i Territorit të miratonte ndërtimin.

Në vitin 2020, emri i kësaj kompanie u zhduk nga pasqyrimet financiare të “Victoria Construction”, vetëm për t’u rikthyer sërish në 2021, me një shumë të investuar prej 351 milionë lekësh të rinj (3.5 miliardë të vjetër).

Përveç kësaj, në dokumentet zyrtare shfaqen edhe kreditorë të tjerë të paidentifikuar me emër, përfshirë një huadhënës të vetëm që figuron me një shumë prej afro 1 miliard lekësh, pa asnjë detaj identifikues përkatës.

Në një përgjigje që “shteg.org” mori nga kompania “Marketing Distribution” thuhet se ekziston një kontratë noteriale “financimi në ndërtim” me kompaninë “Victoria Construction”, në bazë të së cilës “Marketing Distribution”, do të përfitojë sipërfaqe ndërtimore në raport me vlerën e investuar. Po sipas deklaratës, transferimet janë kryer në mënyrë të rregullt nëpërmjet sistemit bankar.

“Marketing Distribution” nuk iu përgjigj pyetjeve të mëtejshme përsa i përket detajeve të kontratës. Mbeten pa përgjigje pyetjet se cila është saktësisht sipërfaqja ndërtimore totale që shoqëria Marketing & Distribution sh.p.k do të përfitojë nga kjo marrëveshje, si në terma të sipërfaqes neto ashtu edhe asaj bruto, e shprehur në metra katrorë. A përfshin kjo sipërfaqe vetëm njësitë tregtare dhe banesat, apo edhe hapësirat e përbashkëta.

Pyetjet mbeten pa përgjigje edhe në lidhje me të drejtën eventuale të transferimit të pronësisë në favor të shoqërisë apo palëve të treta, si dhe për ekzistencën e një afati të përcaktuar për dorëzimin e sipërfaqeve të përfituara.

Po ashtu, edhe kompania “Victoria Construction”, deri në ditën e publikimit të këtij shkrimi nuk komentoi asnjë prej gjetjeve të “shteg.org”.

Ndërkohë që “Ekspozita Building” ngrihet në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës, në sfondin e këtij investimi ngrihen dyshime mbi burimin e këtij investimi.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur një hetim për pastrim parash që përfshin edhe djalin e pronarit të “Victoria Construction”, Ervin Matën.

Ky i fundit i shpallur në kërkim nga SPAK për pjesëmarrje në trafikim lëndësh narkotike në nëntorin e 2023, i hetuar për 4 akuza të rënda.

Në gusht të vitit 2021, një dokument i siguruar nga strukturat e sigurisë, mbërriti në zyrën e Drejtorit të atëhershëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Talo Çela, një prej personave më të rrezikshëm në kërkim për vrasje, ishte parë duke qëndruar në ambientet e hotelit “Victoria” në Tiranë, një biznes i regjistruar në emër të babait të Ervin Matës.

Emri i Matës në këtë dokument nuk përmendej rastësisht. Ai shfaqej në sfondin e një përplasjeje të madhe që kishte ndodhur vetëm disa vite më herët në zonën e ish-Bllokut, ku u vra një person dhe u plagos vetë Mata, pas një konflikti me Ervis Martinajn (një tjetër emër i botës së krimit), ngjarje që për shumëkënd zbuloi për herë të parë lidhjet e Matës me rrjetet kriminale.

“Talo Çela ka marrë kontakt me shtetasin Ervin Mata. Sipas burimit, Ervinit i kanë thënë se me këtë duhet pasur kujdes se ka shumë kundërshtarë dhe se mund ta vrasin. Ervini i është përgjigjur që le të bëjnë çfarë të duan, për mua ka rëndësi që të mos më ndodhë  ngjarje tek objekti im. Burimi i informacionit dyshon se Ervin Mata mund ta përdorë Talon për të eleminuar ndonjë nga kundërshtarët e tij” – thuhet në dokumentin e disponuar nga “shteg.org”.

Por ndryshe nga ajo që mund të pritej, dokumenti nuk çoi në veprime konkrete. Dosja mbeti në sirtarët e institucioneve dhe emri i Matës u zhduk nga vëmendja deri në vitin 2024, kohë më të cilën ai u shpall në kërkim nga SPAK me akuzën e përfshirjes në organizatë kriminale të trafikut të lëndëve narkotike.

Hetimet kishin nisur më herët, në vitin 2021, kur autoritetet gjermane iu drejtuan zyrtarisht SPAK-ut për të ndarë informacione mbi një sasi prej 244 kg kokainë të sekuestruar në Aeroportin e Frankfurtit, më 29 shtator 2020. Ngarkesa vinte nga Brazili dhe kishte lidhje me shtetas shqiptarë që komunikonin përmes aplikacioneve të koduara si SkyECC dhe ANOM. Në qendër të komunikimeve, sipas dosjes hetimore të SPAK, rezultonte “Boli”, nofka e përdorur nga Ervin Mata.

Ai jepte urdhra të drejtpërdrejtë për transfertat ndërkombëtare dhe menaxhonte shpërndarjen e drogës në tregjet evropiane. Në një nga mesazhet e përgjuara thuhej:

“Vëlla, m’u kapën 244 copë… do lexosh në gazetë nesër”, – citohen komunikimet në dosje. Ndërsa në një mesazh tjetër dyshohet se Mata të ketë urdhëruar edhe për shpërndarjen e parave: “Ai i Frankfurtit mos i japë njeri lekë pa thënë unë.” – citohet në dokumentin e prokurorisë.

Sipas SPAK, paratë që rridhnin nga ky aktivitet, të vlerësuara në mbi 8.5 milionë euro, u kanalizuan përmes lidhjeve të Matës në Holandë dhe Shqipëri. Në një komunikim tjetër të përgjuar ai thoshte: “Veç në Shqipëri i du lekët unë, t’i kaloj 1 milion në Holandë po të duash.”

Po nga dosja, që përfshin të paktën tre episode të trafikut të kokainës (Ekuador–Holandë, Brazil–Gjermani), del në pah bashkëpunimi i Matës me figura të njohura të botës së krimit si Ergys Dashi (i vrarë në Ekuador më 2022) dhe Suel Çela (i shpallur në kërkim). Sasia totale e drogës që lidhet me këtë grup, sipas hetimeve, shkon përtej 700 kg kokainë.

Pikërisht për këto ngjarje Prokuroria e Posaçme ka regjistruar hetimet ndaj Matës, ka shpallur emrin e tij në kërkim dhe pse nuk dihet  vendndodhja e tij.

“Në ngarkim të personit nën hetim Ervin Mata dhe bashkëpunëtorëve të tij, për të cilët hetimet vijojnë, është bërë regjistrimi i procedimi penal nr.78/2 i vitit 2024 është për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grup i Strukturuar Kriminal” si edhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” – thuhet në përgjigjen e zyrës së shtypit të Prokurorisë së Posaçme.

Ndërsa Prokuroria ka ende çështjen nën hetim ekspertët ngrënë shqetësime mbi injektimin e parasë së “pisët” në sektorin e ndërtimit.

“Në vende ku krimi i organizuar pastron para, ndërtimi ka qënë gjithnjë vëmendja e tyre. Në Shqipëri ka lulëzuar kjo veprimtari. Fakti që prej vitesh shtohen ndërtimet dhe shtohen biznesmenët e kësaj fushe duke e ndërthurur me të shkuarën e tyre e kupton lehtë që nga arat me kanabis kanë mbërritur në sheshet e ndërtimit. Ata njerëz kontigjent për trafik narkotikësh thjesht kanë marrë emrin e ndërtuesit dhe sigurisht që e shohin si aktivitet më të lehtë për të pastruar para”, thotë ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi.

Armand Mala, ekspert kontabël, shprehet për “shteg.org” se paratë e gjeneruara nga aktivitetet kriminale dhe të investuara në sektorin e ndërtimit mund të identifikohen, por kjo kërkon një vullnet të hekurt nga autoritetet.

Sipas tij, gjurmimi i këtyre fondeve të dyshimta duhet të përfshijë verifikimin e burimeve të të ardhurave, analizimin e detajuar të transaksioneve bankare, përfshirë ato ndërkombëtare, si dhe kontrollin e hollësishëm të të ardhurave dhe shpenzimeve të kompanive të ndërtimit dhe të blerësve të pronave. Për më tepër, Mala thekson rëndësinë e analizave forensike financiare dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si mjete të domosdoshme në këtë proces.

Gjatë vitit të kaluar, sektori i ndërtimit dhe ai i pasurive të patundshme kanë qenë motorët kryesorë të rritjes ekonomike në vend, duke mbajtur pothuajse gjysmën e peshës që ndryshe shpërndahej mes nëntë degëve të tjera të ekonomisë.

Në terma realë, ekonomia shqiptare prodhoi 21.32 miliardë euro përgjatë vitit 2023, ndërsa vetëm ndërtimi dhe tregu imobiliar gjeneruan 3.72 miliardë euro – ekuivalente me 17.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Një shifër që tregon jo vetëm fuqinë ekonomike të këtij sektori, por edhe ndikimin disproporcional që ai ka në strukturën e ekonomisë shqiptare.

Tendenca është e përqendruar kryesisht në Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 12 viteve të fundit janë dhënë leje për ndërtimin e 12.3 milionë metrave katrorë ndërtim të ri në të gjithë vendin, nga të cilat 75% – ose 9.2 milionë metra katrorë – janë përfituar vetëm në Qarkun e Tiranës. Të dhënat historike të INSTAT-it zbulojnë se pas vitit 2017 ka ndodhur një shpërthim i vërtetë: sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në kryeqytet është dyfishuar, ndërsa në vitet 2022 dhe 2023 është trefishuar.

Sipas Raportit të Vlerësimit Kombëtar të Riskut 2023, përditësuar nga Agjencia e Inteligjencës Financiare, ndërtimi është sektori më i ekspozuar ndaj aktivitetit të paligjshëm financiar. “Sektorët ekonomikë më të ndjeshëm ndaj pastrimit të parave janë sektori i pasurive të paluajtshme, ndërtimi, tregtia, shërbimet telefonike (Call Center) dhe konsulenca në fushën ekonomike dhe ligjore,” thuhet në raport.

Sipas Agjencisë, shumica e pasurive kriminale që përfundojnë në tregun shqiptar të ndërtimit gjenerohen jashtë vendit. Paratë e pista vijnë nga veprimtari të paligjshme si trafikimi i drogës, krimi i organizuar, korrupsioni, falsifikimi, mashtrimi dhe vepra penale në fushën fiskale.

“Me siguri, aty do të ndërtohet më herët se sa vonë pallati që do të qërrojë dhe syrin tjetër të ballkonit tonë… Unë nuk munda ta shëroj atë plagë të turpshme urbane…”, shkruante Edi Rama në librin e tij Kurban në vitin 2011, ndërsa përshkruante zonën e ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”, vetëm 200 metra larg shtëpisë së tij, ku jetonte gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Godina e ndërtuar në vitin 1970 shërbente për dekada si sallë ekspozitash, përpara se të jepej me qira nga Ministria e Ekonomisë për “Top Channel” në vitin 2005. Në 2009-n, në ditën e fundit të mandatit, ministri Genc Ruli e anuloi kontratën me median, duke lënë pas debate, reagime publike dhe një godinë të boshatisur.

Në vitin 2011, qeveria demokratike e kohës mori vendimin për shembjen e objektit, duke lënë pas një gropë ndërtimi që për vite u mbush me baltë, mbeturina dhe premtime të pa-mbajtura.

“Zhurma e bretkosave që jetojnë në kënetën gjithë plehra. Është një nga ato pak raste ku sytë e bashkëudhëtarëve më zënë me faj dhe zërat kritikë të mi gjejnë provat e fajësisë sistematike të lidhur fëtefët me qëllimin e shumëherëpërgojuar të përfitimit prej lejeve të ndërtimit”- shkruante Rama.

Tetë vite më vonë, në vitin 2019, panorama ndryshoi.

Pikërisht Edi Rama, tashmë si kryeministër dhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit vendosi të miratojë ndërtimin e një kulle të re në po të njëjtin vend.

Dokumentet tregojnë se zhvillimi i këtij objekti ka kaluar nëpër përplasje të ashpra ligjore dhe negociata të mjegullta.

Fillimisht, kompania “Vision Construction”, e përfaqësuar nga Arian Tartari, kishte arritur më 13 mars 2018 një marrëveshje bashkëpunimi me një pjesë të pronarëve të truallit. Por për shkak se nuk arriti të bindte të gjithë pronarët për të zhvilluar zonën, Vision Construction u tërhoq.

Më 20 mars 2018, përmes një kontrate noteriale, kompania deklaroi se i linte të lirë pronarët të zgjidhnin ndërtues të tjerë.

Në këtë moment, në skenë hyri “Victoria Construction”, kompania e Luan Matës, babai i Ervin Matës.

Duke blerë një pjesë të truallit nga një ish-pronar dhe më pas duke bindur të gjithë bashkëpronarët, Luan Mata përfitoi të drejtën për të ndërtuar. Me firmat në dorë, dhe mbi të gjitha duke bindur edhe instancat ligj-zbatuese për të miratuar lejen, kompania siguroi zhvillimin e projektit luksoz.

Janë 18 individë që zotërojnë pjesë nga kjo pronë, mes tyre edhe vetë Luan Mata, por pjesa më e madhe e tyre kanë refuzuar të flasin për “shteg.org”, ose nuk kanë dhënë përgjigje, edhe pse janë kontaktuar disa herë.

Një prej tyre, vajza e një prej bashkëpronarëve, pranon se ndjen pasiguri. “Frika që objekti mund të mos mbarojë në kohë ekziston”, thotë Uarda në një bisedë telefonike.

“Kemi rënë dakord me firmën sipas kushteve që ata kanë ofruar. Marrëveshja është ligjore dhe e noterizuar. Deri më tani, zotëria ka respektuar kontratën. Leja mbaron në 2026. Nuk mund të flas për pakënaqësi kur jemi ende brenda afateve.”

Megjithatë, frika e saj është e kuptueshme në një sektor ku zvarritja e punimeve është kthyer në normë, dhe ku vonesat çojnë shpesh në konflikte gjyqësore.

Ish-kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, inxhinieri Maksim Muçaj, shpjegon për “shteg.org” se zvarritja e punimeve në objekt rregullohet mes kërkesave për shtyrje të afatit të përfundimit të punimit.

“Një muaj përpara afatit të përfundimit të lejes kërkohet zgjatja e afatit në mënyrë të argumentuar. Kur kërkon miratimin e zgjatjes së lejes brenda afateve nuk ka problem. Duhet thënë se ka plot raste që miratohet, edhe nëse ka neglizhencë.” – thotë Muçaj.

Kompania “Victoria Construction” dhe Luan Mata refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve të dërguara nga “shteg.org” për koment. Po ashtu, pavarësisht përpjekjeve të shumta, redaksia nuk arriti të kontaktojë as me Matën dhe as me përfaqësuesit e tij ligjorë deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi. Ndërkohë, përveç urdhër-arrestit të lëshuar ndaj të riut Mata, institucionet ligj-zbatuese nuk kanë ndërmarrë ende asnjë veprim për sekuestrimin e pasurive të zotëruara nga familja Mata, edhe pse Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar se hetimet për akuzën e pastrimit të parave ndaj Ervin Matës janë në vijim.

Eksperti kontabël Armand Mala e sheh mungesën e ndërhyrjes ndaj pasurive si një nga hallkat e dobëta në luftën kundër pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit. Ai thekson se, ndonëse është e mundur të identifikohen fondet që burojnë nga aktivitetet kriminale, kjo kërkon një vullnet të fortë dhe veprime të koordinuara nga autoritetet.

“Pasuritë e paluajtshme kanë qenë dhe mbeten një nga format më të përdorura për pastrimin e parave,” thotë ai për “shteg.org”. “Sektori i ndërtimit karakterizohet nga investime të mëdha dhe transaksione të ndërlikuara, ku përfshihen shumë palë – kompani, individë blerës, profesionistë të fushës – dhe shpesh përdoren marrëveshje të komplikuara që e bëjnë të vështirë gjurmimin e burimit të fondeve. Në këto kushte, krijimi i faturave fiktive dhe fryrja e kostove bëhen mjete të zakonshme për të mbuluar gjurmët e parave të pista,” shton Mala./ shteg.org