Ballina Sport Luka Modric gjen akordin, bashkohet me Lionel Messin në SHBA

Luka Modric gjen akordin, bashkohet me Lionel Messin në SHBA

25
0

Pak orë pas zyrtarizimit të largimit nga Real Madrid, duket se e ardhmja e Luka Modriç është tashmë e vendosur. Sipas mediave spanjolle, mesfushori kroat ka arritur një akord paraprak me skuadrën amerikane Inter Miami, që është gati ta prezantojë si përforcimin më të ri menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube.

39-vjeçari ishte në radarin e klubit të financuar nga David Beckham prej kohësh, me Lionel Messin që raportohet se ka luajtur rol kyç në këtë lëvizje. Sipas mediave amerikane, kërkesa e Messit për ta pasur Modriç në ekip është pranuar me entuziazëm nga drejtuesit e Inter Miami, të cilët besojnë se mesfushori do të sjellë eksperiencë dhe cilësi të padiskutueshme.

Kontrata me Real Madrid përfundon pas Kupës së Botës për Klube, ndërsa marrëveshja me Inter Miami pritet të jetë deri në përfundim të Kupës së Botës 2026, një turne që Modriç synon ta mbyllë karrierën me përfaqësuesen e Kroacisë. Nga kjo marrëveshje, ai pritet të përfitojë rreth 2.5 milionë dollarë në sezon.

Edhe pse këtë sezon ka pasur më pak minuta nën drejtimin e Carlo Ancelottit, Modriç mbetet një figurë emblematike për “Galaktikët”, me një karrierë që përfshin fitimin e Topit të Artë dhe disa trofe madhorë në nivel klubesh.

Largimi i tij shënon fundin e një epoke në “Santiago Bernabeu”, ndërsa nis një kapitull i ri në Major League Soccer, ku do të luajë me emra të njohur si Lionel Messi, Luis Suarez, Sergio Busquets dhe Jordi Alba.

Inter Miami vijon të ndërtojë një super skuadër me synimin për të dominuar futbollin amerikan dhe për të tërhequr vëmendjen globale drejt MLS-së.