Të pasurit një pronë dhe trashëgimia e saj tek brezat pasardhës i ka orientuar shqiptarët t’i investojnë më shumë të ardhurat në pasuritë e patundshme, sesa ruajtja e tyre në llogari bankare.
Një studim i Bankës së Shqipërisë mbi gjendjen financiare të familjeve shqiptare mbi një përqindje të caktuar të popullsisë, tregon se 95% kanë deklaruar se zotërojnë të paktën një pronë të patundshme.
“95% kanë deklaruar se zotërojnë të paktën një pronë të patundshme dhe kjo peshë ka shënuar një rritje të vogël me 0.3 pp. 93% e tyre deklarojnë se zotërojnë ‘1-2 prona të patundshme’ kryesisht të llojit ‘shtëpi banimi’ ose kombinim i një shtëpie banimi dhe një prone tjetër si ‘tokë’, ‘dyqan’, ‘godinë. Nga ana tjetër, vetëm 1% deklarojnë se zotërojnë ‘më shumë se 2 prona të patundshme’, ndërsa rreth 6% kanë deklaruar se ‘nuk zotërojnë asnjë pronë’”, sipas Bankës së Shqipërisë.
Sa i takon pasurive financiare, situata është ndryshe. Vetëm 61% e familjeve që kanë investime, i mbajnë ato në formë depozitash ose llogarish bankare, një rënie kjo prej 8 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.
“Nga përgjigjet e dhëna lidhur me zotërimin e pasurive financiare nga familjet, rezulton se për periudhën e vrojtuar, 10% e totalit të kampionit (familje huamarrëse dhe johuamarrëse) dhe 16% e grupit të familjeve huamarrëse, ‘nuk zotërojnë asnjë lloj pasurie financiare”, thekson Banka e Shqipërisë.
Por mbështetja e shtuar tek pasuritë e paluajtshme dhe mungesa e alternativave të tjera financiare, sipas ekspertëve rrezikon ta bëjë strukturën financiare familjare më të ndjeshme ndaj rreziqeve ekonomike.