Viktor Gyökeres, një nga sensacionet më të mëdha në futbollin evropian, ka ngjallur interesin e shumë klubeve të mëdha europiane, por destinacioni i ri i sulmuesit suedez duket se do të jetë Madridi.
Mediat spanjolle bëjnë me dije se Atletico Madrid është pranë finalizimit të marrëveshjes me Sporting Lisbon për transferimin e Gyökeres. Suedezi shihet si partneri ideal në sulm për Julian Alvarez, me idenë për të krijuar një dyshe sulmuese që garanton sukses dhe gola.
“Colchoneros” është e gatshme të paguajë 70 milionë euro për suedezin, shifër që kënaq edhe Sporting Lisbon.
Kampioni i Portugalisë është i vetëdijshëm që nuk e mban dot më Gyökeres në ekip, ndaj është i hapur për shitjen e tij dhe shifra që pret është 70-75 milionë euro.
Atletico Madrid synon të veprojë shpejt për të shmangur ndonjë surprizë të pakëndshme dhe të mbyllë marrëveshjen sa më shpejt të jetë e mundur, e cila, nëse zyrtarizohet, sigurisht që do të jetë një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos së verës.