Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që këtë vit mbahet në Dayton.
Ngjarja shënon 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Daytonit dhe i dedikohet përpjekjeve për paqe në Ballkanin Perëndimor. Osmani do të mbajë fjalime dhe do të zhvillojë takime me liderë rajonalë e përfaqësues të NATO-s, BE-së dhe SHBA-ve.
Njoftimi i plotë:
Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar zyrtarisht për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Me ftesë të Kongresit Amerikan, Presidentja Osmani ka udhëtuar për të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet mbahet në qytetin Dayton në SHBA.
Ky sesion sivjet shënon edhe 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Daytonit për Bosnjën dhe Hercegovinën, prandaj edhe e tërë ngjarja do t’i dedikohet përpjekjeve për paqe e siguri në Ballkanin perëndimor. Në këtë ngjarje të rëndësishme marrin pjesë edhe Presidentë të vendeve të tjera nga rajoni, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, BE-së e SHBA-ve.
Në agjendë të Presidentes Osmani janë një sërë aktivitetesh, përfshirë fjalime në darkën kryesore si dhe në panele, e poashtu takime me delegacionet pjesëmarrëse.