Ballina Aktualitet ‘Rast suksesi në Spitalin Memorial Fier’, Koçiu: Pacientit i rikanalizohet ena e...

‘Rast suksesi në Spitalin Memorial Fier’, Koçiu: Pacientit i rikanalizohet ena e bllokuar e gjakut

0
34

Një ndërhyrje e suksesshme mjekësore është kryer në Spitalin Memorial në Fier, ku falë procedurës së trombektomisë, mjekët arritën të rikanalizojnë plotësisht një enë gjaku të bllokuar te një pacient 47-vjeçar që kishte pësuar goditje cerebrale.

Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila e cilësoi rastin një shembull suksesi të arritur falë reagimit të menjëhershëm të ekipit mjekësor dhe përdorimit të teknologjisë moderne.

Sipas ministres Koçiu, pacienti kishte shfaqur shenja të qarta të një insulti cerebral, si pamundësi për të folur dhe për të lëvizur anën e majtë të trupit, dhe ishte paraqitur në urgjencë brenda 3 orëve nga shfaqja e simptomave, një afat kyç për ndërhyrje efektive.

“Falë reagimit të menjëhershëm të ekipit mjekësor dhe realizimit të procedurës së trombektomisë, u arrit rikanalizimi i plotë i enës së gjakut të bllokuar,” – tha Koçiu.

Ajo shtoi se vetëm dy ditë pas ndërhyrjes, pacienti lë spitalin pa asnjë deficit motorik dhe kthehet në shtëpi në gjendje të shkëlqyer shëndetësore.

“Ky është një tjetër shembull i fuqisë që ka bashkëpunimi, teknologjia moderne dhe përkushtimi i mjekëve tanë për të shpëtuar jetë,” – përfundoi ministrja.