Ballina Aktualitet Klinikat dentare shqiptare paguajnë mediat në Itali për të joshur italianët

Klinikat dentare shqiptare paguajnë mediat në Itali për të joshur italianët

0
24

Klinikat dentare shqiptare kanë filluar të sponsorizojnë artikuj në mediat italiane për të joshur qytetarët e vendit fqinj që të zgjedhin Shqipërinë për shërbimin dentar. Kohët e fundit një numër shumë i madh mediash online në Itali janë duke gëluar nga lajmet që vënë në dukje koston e ulët dhe cilësinë e lartë të trajtimit dentar në Shqipëri.

“Një impiant All-on-4 në Itali mund të kushtojë nga 14 mijë deri në 20 mijë euro. Në Shqipëri, i njëjti trajtim varion mesatarisht nga 6 deri në 9 mijë euro, në varësi të materialit dhe klinikës së zgjedhur. Dhe shpesh përfshihen transfertat për në/nga aeroporti dhe akomodimi,” shkruan Veneto Today.

“Në thelb, ju merrni të njëjtin trajtim dentar me cilësi të lartë që do të merrnit në Itali, por me një çmim deri në tre herë më të ulët,” shkruan Nordest 24.

Shumica e artikujve u sugjerojnë qytetarëve italianë edhe cilën klinikë të zgjedhin për t’u kuruar.

“Nëse po konsideroni seriozisht implantet All-on-4 në Shqipëri, është thelbësore të zgjidhni një strukturë të besueshme. Një nga klinikat më të njohura në këtë sektor është Klinika Dentare Implantus në Tiranë, e drejtuar nga Dr. Roland Zhuka. Me mbi 20 vjet përvojë dhe specializime në vende të tilla si Italia, Gjermania, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara, klinika është e pajisur me teknologji të fundit,” vijon Veneto Today.

Ndërsa Nordest 24 i drejton qytetarët italianë tek klinika Endeta Dental Clinic.
“Një nga strukturat më të njohura është Klinika Dentare Endeta, e cila ofron jo vetëm trajtime dentare me cilësi të lartë, por edhe një përvojë gjithëpërfshirëse,” shkruan portali.

Ndërkohë një tjetër media online i këshillon italianët që të zgjedhin Albanian Health Agency, një klinikë dentare me bazë në Durrës.

Të dhënat zyrtare tregojnë se çdo muaj 5 mijë pacientë nga Europa mbërrijnë në Shqipëri për shërbim dentar. Pjesa më e madhe e tyre janë pikërisht italianët.

Turizmi dentar është aktualisht një nga bizneset më të mëdha në Shqipëri me një xhiro vjetore që arrin në qindra milionë euro.