Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë kanë mbetur pa strehë si pasojë e përmbytjeve masive që kanë përfshirë pjesën juglindore të Australisë gjatë ditëve të fundit.
Stuhitë e fuqishme kanë sjellë reshje të rrëmbyeshme, duke bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati dhe të përmbytin zona të mëdha urbane dhe rurale. Më shumë se 10 mijë prona, përfshirë shtëpi, biznese dhe ambiente të tjera, janë dëmtuar ose shkatërruar nga uji.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, u detyrua të anulonte një vizitë të planifikuar në qytetin Taree të premten për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Në një deklaratë për mediat, ai e përshkroi situatën si “të tmerrshme”, duke theksuar se lajmet për humbje jetësh janë “shumë të dhimbshme”.
Autoritetet kanë bërë të ditur se rreth 50 mijë banorë janë prekur drejtpërdrejt nga përmbytjet, shumë prej të cilëve janë evakuuar me ndihmën e ekipeve të shpëtimit, disa duke u ngjitur në çatitë e shtëpive për të shpëtuar nga niveli i lartë i ujit.