Nga Arif Ejupi
Fshati Përpellac, i shtrirë në verilindje të Podujevës dhe në kufi me Serbinë, është një prej vendbanimeve shqiptare që ka përjetuar dhunë, vrasje dhe plaçkitje sistematike nëpër shekuj nga Serbia.
Sipas rrëfimeve të Ismail Ajetit – Bushit, njohës i shkëlqyer i ngjarjeve në Llap, fshati Përpellac, dikur njihej me emrin ‘Prekaj’, që supozohet të jetë mbiemër fisnor i trashëguar nga Preka, i biri i Garës, një emër që, sipas të gjitha gjasave, i përket periudhës së krishtere apo paraislame.
Pozita e volitshme gjeografike e Përpellacit me mbi 583 hektar ofronte kushte të përshtatshme për zhvillimin e blegtorisë, e cila ishte veprimtaria kryesore e shumicës së banorëve.
Po, sipas rrëfimeve të Ismail Ajetit -Bushit, në vitin 1903, burrat e këtij fshati, të përkrahur nga trima të tjerë të kësaj zone, ngritën Flamurin e Skënderbeut me shqiponjën dykrenore në vendin e quajtur “Kapia e Përpellacit”.
Ky ishte një akt i guximshëm, dhe thellësisht kombëtar, ngase në këtë periudhë shqiptarët ndodheshin nën sulmin e dy pushtuesve: osmanëve dhe serbëve.
Serbia, që në fillim të viteve 1800, e kishte kthyer dhunën ndaj shqiptarëve të Përpellacit në një sistem të organizuar shtetëror.
Hazir Zenel Zeneli – babai i Zeqirit, Islamit, Sylejmanit, Rashitit dhe Rahimes, u vra pamëshirshëm dhe u zhduk pa varr nga forcat serbe në vitin 1883.
Në vitin 1942, në pragun e shtëpisë së tij, nga partizanë dhe çetnikë serbë, u vra Bejtë Ali Aliu.
Ndërkaq, një vit më vonë me skenar të ngjashëm u vra edhe Hetem Rrustem Zejnullahu, pa i mbushur ende 30 vjet.
Edhe burra të tjerë të këtij fshati, të cilët shkonin të enjteve në treg në Kurshumli, binin shpesh në prita të ngritura nga serbët gjatë kthimit në shtëpitë e tyre. Shumë prej tyre nuk u kthyen kurrë.
Më 6 prill të vitit 1999, policë e paramilitar serbë në shtëpinë e tij kidnapuan Ferat Bejtë Aliu, që porsa kishte mbushur 19 vjet.. Pastaj, Ferati një djalë i pashëm dhe i urtë u vra mizorisht.
Kufoma e tij e karbonizuar u gjet pas një kohe në fshatin Dumnicë të poshtme të Podujevës. Së bashku me Feratin pa kurrfarë shpjegimi nga këto grupe policësh e paramilitarësh serbë u vra edhe Bekim Halim Mani 26 vjeçar.
Nga fshati Përpellac gjatë prillit dhe majit 1999 u vranë edhe Hamdi Hajdin Beqiri,Fatime Osman Beqiri dhe Ilaz Shaqir Beqiri . Këtë tërbim të ushtrisë dhe policisë serbe u munduan ta ndalin Mifrar Zejnullahu dhe Skënder Zejnullahu,të cilët si ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ranë për të mos vdekur kurrë më 24 dhjetor të vitit 1998 në Obrançë të Podujevës.
Kjo dhunë e vazhdueshme dhe ky terror i paparë solli pasoja tragjike. Nga frika e ndonjë sulmi tinëzar nga hordhitë serbe, fshati Përpellac sot është i zbrazur tërësisht.
Minë e pashpërthyer e gjetur më 13 prill 2018 në fshatin Përpellac, në arën e Zenel Rashit Zeneli (tashmë i ndjerë).
Deri kah fundi i viteve ‘80 e ‘90, në Përpellac jetuan familjet: Islami, Aliu, Zeneli, Mani ,Beqiri, Ibishi,(Rexhep Bajgora) Fejzullahu ,Maliqi, Zejnullahu (Muhaxhirët), Rrahimi, Maksuti e Mustafa (Musliu i Cenit , i kësaj familje është Komandant Rrustem Mustafa-Remi)
Përpara viteve ‘50 e ‘60 kanë jetuar edhe familjet : Salihu, Miftari, Abazi, Shabani( Avdi Përpellaci), Dërvishi (Rizahu i Muratit, i shpërngulur në Turqi) Bajçinovci ( Mehmet Bajçinovci) e Burica ( Selim Burica -Islami )
Mësuesit e parë të shkollës katërklasëshe në Përpellac ishin Selim Burica-Islami, Xhemail Hasan Mahmuti dhe Qazim Ramë Uka.
Sot, në këtë fshat të bukur dhe piktoresk nuk jeton njeri, përveç zogjve. Nuk dëgjohen më tingujt e zileve të deleve, as blegërimat e qengjave dhe kecave, as meloditë me fyell të barinjve te “ Fusha e Gurit “Çezma e Zeqirit në Poilla”, as te “Arat e Lugut” apo te “Orlishta”.
Në vendin e quajtur Orlishta, në kufirin e sipërm të Përpellacit, djemtë dhe nipat e Zeqir dhe Rashit Zenelit, dajallarët e mi si dhe familja Mani, kanë pasur disa hektarë tokë, male dhe kullosa. Aty ndodhej trashëgimia e tyre, djersa e brezave.
Edhe pse pronë e tyre e hershme, ajo u ble gjatë viteve 1970 me çmim astronomik nga serbët. Por, që nga koha kur u suprimua autonomia dhe Kosova u aneksua nga Serbia, askush prej tyre nuk ka guxuar të shkelë më atje.
Jo për mungesë dashurie ndaj tokës, por nga frika për jetën. Edhe sot, në shekullin XXI, ata nuk mund të shkojnë për të parë pronat e veta, sepse rrezikojnë të kapen, arrestohen apo edhe të vriten nga autoritetet serbe. Ata këtë pjesë të tokës, të grabitur dhe të ndaluar për ta, e kanë trashëguar me sakrificë e gjak.
Dajallarët e mi dëshmojnë se pasuria pyjore në Orlishtë është jo vetëm e uzurpuar, por edhe e shkatërruar nga njerëz të pandërgjegjshëm. I gjithë pylli është prerë dhe drutë e tij shiten në mënyrë klandestine në Kosovë, përmes një rrjeti të matrapazëve shqiptarë që mbajnë ende lidhje të fshehta me serbët.
Ky bashkëpunim i pistë, që zhvillohet në heshtje dhe përfitim, i ka dhënë goditjen e fundit një pjese të tokës shqiptare që nuk guxon as të vizitohet nga të zotët e saj. Të tillë njerëz nuk shesin vetëm dru, ata shesin ndërgjegjen e tyre të mykur.
Përkundër kësaj pasigurie, disa nga banorët e Përpellacit ende mundohen të kultivojnë tokat e tyre me drithëra dhe të kujdesen për shumëllojshmërinë e pemëve e perimeve, siç është rasti me Enver Zenelin. Ai, në tokën e trashëguar nga prindërit e tij,Rashiti dhe Eminia, ka ngritur një plantacion pemësh dhe perimesh që të mahnitin me bukurinë e vet.
Mirëpo, kjo nuk mjafton, kur në fshat nuk jeton askush thotë z. Enver Zeneli, profesor i gjuhës angleze dhe përkthyes i certifikuar, i cili deri në vitin 1978 ka jetuar në Përpellac.
Jo larg vijës kufitare me Serbinë, aty ku dikur ndodhej Hani i Sylë Përpellacit, një han modest, por jetik për banoret, sot kanë mbetur vetëm gjurmët e themeleve të tij.
Ata gurë të heshtur flasin më shumë se çdo dokument për përpjekjet e banorëve të këtushëm dhe për luftën e tyre të vazhdueshme për të jetuar në tokat e tyre mijëravjeçare.
Banorëve të Përpellacit, gjatë viteve 1877–1878, Serbia ua mori me dhunë pronat që shtriheshin deri në Kurshumli. Dajallarët e mi, të cilëve u kërkova një fotografi të vendit ku ndodhen ende gjurmët e hanit të Sylë Përpellacit, nuk guxojnë të shkojnë atje sepse mund ta rrezikojnë fare lehtë jetën e tyre.
Policia serbe nuk njeh as varre, as themele, e as kujtesë. Ajo njeh vetëm dhunë, vrasje dhe plaçkitje.
Institucionet e Republikës së Kosovës dhe ato ndërkombëtare duhet të kërkojnë urgjentisht qasje në pronat e banorëve të Përpellacit dhe ndalimin e uzurpimit të paligjshëm nga Serbia.
Përpellaci nuk është thjesht një fshat i zbrazur, është një faqe e gjallë e historisë shqiptare, që flet me dhimbje për golgotën shekullore të banorëve të tij.