Ballina Kronika Zbulohet ‘shtëpi bari’ në Fier! Gjenden dhe pajisje për ndriçim. Arrestohet pronari...

Zbulohet ‘shtëpi bari’ në Fier! Gjenden dhe pajisje për ndriçim. Arrestohet pronari i banesës dhe punonjësi i OSHEE-së

28
0

Një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura është zbuluar në Fier, ku Policia ka goditur një laborator të improvizuar kanabisi të ndërtuar brenda një banese.

Operacioni i koduar “Led” çoi në arrestimin e pronarit të banesës Isa Gashi, i cili e kishte përshtatur ambientin për kultivim me anë të llambave, si dhe të një punonjësi të OSHEE-së, i dyshuar për shpërdorim detyre.

Në banesë u gjetën dhe u sekuestruan dhjetëra bimë dhe fidanë kanabisi, pajisje elektrike për ndriçim dhe ajrosje, si dhe një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Njoftimi i policisë:

Fier

Policia zbulon brenda një banese një ambient të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave.

Finalizohet me sukses operacioni antikanabis i koduar “Led”.

Gjatë operacionit sekuestrohen lëndë narkotike dhe pajisje të ndryshme elektrike të përdorura për kultivim.

Arrestohen pronari i banesës që e kishte përshtatur atë për kultivim të bimëve narkotike dhe punonjësi i OSHEE-së për shpërdorim detyre .

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe bazuar në informacionet policore dhe veprimeve gjurmuese të shpejta, finalizuan operacionin policor të koduar “Led”.

Në kuadër të këtij operacioni u identifikua një banesë, në fshatin Vadhizë, e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet llambave.

Në këtë banesë është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Gjatë operacionit u arrestua autori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi I. G., 63 vjeç, banues në Vadhizë, i cili kultivonte bimët në ambientet e banesës së tij.

Në vijim të veprimeve hetimore, është vënë në pranga edhe punonjësi i OSHEE-së, shtetasi R. M., 61 vjeç, banues në Patos, për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.

Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 41 bimë narkotike Cannabis Sativa, 57 fidanë Cannabisi,  një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 784 fara kanabisi, 5 panele elektrike, 8 llamba për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra, 3 ventilatorë freskues, 2 aspirator dhe 18 pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.