Shqipëria ka hapur dyert për emra të mëdhenj të industrisë globale të filmit, përmes nismës “Fam Tour Albania”, që po zhvillohet për herë të parë në vend. Përfaqësues të disa prej studiove më prestigjioze si HBO, Warner Brothers, Amazon, Disney, Paramount dhe NBC-Universal po marrin pjesë në një tur disaditor në qytete të ndryshme të vendit për të eksploruar mundësitë që Shqipëria ofron për xhirime dhe bashkëprodhime ndërkombëtare.
Gjatë këtij turi, producentë dhe vendimmarrës të industrisë filmike po njihen nga afër me bukuritë natyrore, trashëgiminë historike dhe kulturore, si dhe lokacionet unike që mund të shërbejnë si sfond ideal për projekte filmike me përmasa ndërkombëtare.
Në një takim të mbajtur në Tiranë me drejtuesit e këtyre kompanive, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të ndërtuar një ekosistem të qëndrueshëm dhe konkurrues për industrinë kreative. Ai nënvizoi masat e ndërmarra, përfshirë stimujt fiskalë, reformat ligjore dhe investimet në infrastrukturë dhe formimin e talenteve të reja.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme në këtë drejtim është bashkëpunimi me “Catalyst Story Institute”, një nga institucionet më të njohura në SHBA për zhvillimin e skenaristëve dhe krijuesve filmikë. Instituti ka hapur tashmë “Tirana Training Institute”, një qendër që synon të nxisë formimin profesional dhe ndërkombëtarizimin e sektorit filmik shqiptar.
Kjo nismë shënon një hap të rëndësishëm drejt transformimit të Shqipërisë në një destinacion të ri për produksione filmike në Evropë, duke i hapur rrugën investimeve të reja dhe bashkëpunimeve të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e artit dhe kinemasë.