Ballina Politika ‘Berisha ka penguar reformimin e PD-së’, Xhaferaj: Dorëheqja është e vetmja rrugë

‘Berisha ka penguar reformimin e PD-së’, Xhaferaj: Dorëheqja është e vetmja rrugë

91
0

Deputeti në largim i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e fajësuar për mungesën e një reformimi real të PD-së që prej vitit 2013. Në një intervistë të dhënë pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, Xhaferaj deklaroi se Berisha nuk ka ndërtuar një lidership të ri, por ka garantuar interesat e tij familjare përmes mbështetjes ndaj Lulzim Bashës.

“Berisha nuk investoi për lidership të ri pas 2013-ës, por mbështeti Bashën që garantonte interesat familjare. Ai ndërhyri në garën me Olldashin dhe garantoi Bashën pas humbjeve në 2017 dhe 2021,” u shpreh Xhaferaj.

Ai e cilësoi rikthimin e Berishës në krye të PD-së si një veprim të pasinqertë, që sipas tij nuk kishte të bënte me interesat e partisë, por me interesa personale dhe familjare.

Duke iu referuar vendimit të gjykatës që i dha vulën Berishës, Xhaferaj ironizoi deklaratat e tij për “drejtësinë e kapur”:

“Kush ia dha vulën e partisë Berishës? Nëse është drejtësia e kapur, atëherë a nuk ishte pikërisht Rama që ja dha?”

Ai kritikoi ashpër edhe ndërtimin e koalicionit opozitar për zgjedhjet, duke e quajtur një “koalicion që do donte Edi Rama”, për shkak të përfshirjes së figurave si Ilir Meta dhe Fatmir Mediu, ndërkohë që u la jashtë një bashkim më i gjerë me figura si Agron Shehaj apo Adriatik Lapaj.

“Listat u bënë siç i donte Rama. Sjellja e Berishës ka qenë ajo që i leverdis më shumë Ramës,” tha Xhaferaj.

Sipas tij, Berisha ndodhet në një situatë të vështirë politike, dhe nëse nuk pretendon se zgjedhjet janë vjedhur, i mbetet vetëm dorëheqja.

Në fund, Xhaferaj parashikoi një reformim të Partisë Demokratike në periudhën nga vjeshta në pranverë, duke shtuar se “ka një presion të qartë që PD të futet në reformim të thellë dhe të sinqertë”.