Ballina Kulturë Hamami i Durrësit pret vizitorët pas restaurimit

Hamami i Durrësit pret vizitorët pas restaurimit

22
0

Hamami i periudhës osmane, është Monument Kulture, Kategoria I. Hamami ka rihapur dyert për vizitorët vendas dhe të huaj, pas një restaurimi të plotë me fond prej 32 milionë lekësh të dhëna nga programi i Bashkimit Evropian për Kulturën (EU4Culture).

Godina i përket shekullit të 18-të dhe është një nga 10 hamamet që i kanë rezistuar kohës në Shqipëri. Ky hamam hapet për herë të parë për publikun pasi më parë nuk ka qenë i aksesueshëm për shkak të amortizimit.

Drejtori i Qendrës Muzeore të Durrësit, Alban Ramohitaj, tha se objekti plotëson mozaikun historik të qytetit.

Gjatë tërmetit të vitit 2019 Hamami i Durrësit pësoi dëmtime serioze dhe u përfshi në listën e monumenteve që do të restauroheshin me fondet e Bashkimit Evropian.

Hamami gjendet përgjatë bulevardit “Epidamn” në Durrës dhe funksionoi si banjo publike deri në fund të shekullit të 19-të. Në fillim të viteve 2000 funksionoi si kafene për disa kohë dhe tashmë është pjesë e ofertës turistike të qytetit.