Ballina Aktualitet Ndryshime ne Policinë e kryeqytetit/ Preken krimet, rrugorja dhe trafiku…

Ndryshime ne Policinë e kryeqytetit/ Preken krimet, rrugorja dhe trafiku…

42
0

Së fundmi pas përfundimit të zgjedhjeve janë bërë transferime dhe lëvizje të shumta në policinë e kryeqytetit, ku disa shefa krimesh janë ndryshuar, por jo vetëm.

Shefi i krimeve i komisariatit nr.5 është transferuar në Vorë, ndërsa shefi i krimeve të Vorës është transferuar te komisariati nr.5.

Edhe shefi i krimeve në komisariatin nr.1 është ndryshuar, ku ai që mbante këtë post është transferuar te komisariati i policisë rrugore të Tiranës te sektori i aksidenteve. Ndryshime të shumta ka pasur në policinë rrugore të Tiranës ku rreth 20 efektivë të linjave dhe trafikut janë transferuar, po ashtu edhe 4 komandantë te trafikut dhe linjave, mes tyre edhe shefi i trafikut urban në Tiranë, Jetnor Shira, ku në vend të tij është emëruar Megian Ademaj.

Po ashtu në policinë rrugore të Tiranës janë transferuar disa oficerë të policisë gjyqësore (OPGJ). Ende nuk dihen arsyet dhe motivacionet e ndryshimeve të shumta në policinë e kryeqytetit.

Kujtojmë që 7 muaj më parë u bënë ndryshime rrënjësore në polici ku u zgjodhën 12 drejtuesit e rinj të policisë në qarqe dhe 48 shefat e komisariateve, por ende ka mbetur pezull gara për drejtorët e departamenteve edhe pse sipas ligjit të ri të Policisë së Shtetit duhet të zhvillohet garë edhe për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të departamenteve.