Janë ekstraduar në Itali, 3 persona të implikuar në fushën e narkotikëve, individualisht ose si pjesë e organizatave kriminale.
Nga koordinimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Shqipëria, në Itali, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë:
-Albert Koni, 51 vjeç, pasi Gjykata e Torinos, në vitin 2025, e ka dënuar me rreth 4 vjet e gjysmë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë vitit 2017, ai ka shitur lëndë narkotike Kokainë, në ambiente publike, në zonat Arona dhe Novara;
-R. A., 21 vjeç, pasi Gjykata e Milanos, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale. Ai akuzohet se gjatë periudhës 2022-2024, ka qenë pjesë e një organizate kriminale që ka trafikuar në Milano, sasi të mëdhaja lëndësh narkotike;
-A. F., 39 vjeç, pasi Gjykata e Gjenovas, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, sepse akuzohet në kuadër të operacionit “COOK 2020” të Policisë italiane, për trafikim të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, të kryera në kuadrin e organizatës kriminale.