Ballina Politika “Nuk doja t’i bëja dëm opozitës”/Mospjesëmarrja e tij në listën e mbyllur...

“Nuk doja t’i bëja dëm opozitës”/Mospjesëmarrja e tij në listën e mbyllur reagon Meta:Për dy arsye shumë të rëndësishme

32
0

Meta deklaron se ai ka qenë prej fillimit kundër listave të mbyllura dhe veç kësaj, nuk donte t’i krijonte asnjë avantazh individual vetes në dëm të Opozitës së Bashkuar.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur se nuk ishte aspak e gabuar zgjedhja për të garuar në listën e mbyllur në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sipas Metës, beteja e tij politike ka qenë dhe mbetet çlirimi i shqiptarëve nga shteti i kapur nga “Rilindja”.

Ilir Meta: 

“Jo, asnjë gabim dhe për dy arsye shumë të rëndësishme. Së pari, parimore sepse përherë kam qenë kundër listave të mbyllura dhe është absurd që qytetarët mund të zgjedhin praktikisht vetëm 1/3 e deputetëve se 2/3 janë të paravendosur.

Së dyti, nuk doja të krijoja asnjë avantazh individual vetes në dëm të Opozitës së Bashkuar pasi nëse do isha në listë të mbyllur një nga tezat më kryesore kundër opozitë do të ishte që ja koalicioni u bë për të nxjerrë Metën nga burgu.

Ndërkohë që beteja ime politike ka qenë dhe mbetet për t’i çliruar shqiptarët nga burgu i madh ku ata jetojnë çdo ditë në shtetin e kapur nga “Rilindja” dhe mafia në çdo qelizë.

Po kështu synoja të motivoja sa më shumë kandidatët e tjerë në listat e hapur pas disa pakënaqësive që u krijuan me listat e mbyllura.

Për mua zhgënjyes është rezultati në tërësi dhe jo fakti që unë nuk u bëra deputet. Ata që ishin jashtë burgut duhet të kishin punuar më shumë dhe më mirë. Sidomos kur garon me një shtet të kapur, media të kapura dhe Kod Zgjedhor jo të favorshëm për opozitën”,-shprehet Meta.